Wednesday, November 26, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionRiat Abduramani: Rrogat pa punë dhe përgjegjësia institucionale

Riat Abduramani: Rrogat pa punë dhe përgjegjësia institucionale

Le të themi që është “e drejtë” që të marrin rrogë dhe të mos vijnë fare në punë! Jemi OK, jemi popull që na vjen keq në përgjithësi!
Na plasi fare – do të thoshte një qytetar i rëndomtë. 🙂
“Mirë pra, le t’i marrin, punë e madhe…” – do të vazhdonte biseda.

Por le ta bëjmë një pyetje shumë të thjeshtë: kush ua ka dhënë këtë “të drejtë”? Në bazë të cilit ligj? Nëse e kthejmë pyetjen nga ana tjetër: pse familjarët tanë, që realisht kanë nevojë për një rrogë, të mos marrin edhe ata paga nga komuna, meqë po flitet për “gjynah” dhe “mos u hiqet buka nga goja”? Pse disa të jenë më “gjynah” se të tjerët? Çfarë privilegjesh kanë ata që nuk i kanë qytetarët e zakonshëm?

Komuna e Strugës, si çdo komunë tjetër në vend, nuk është institucion social, as fondacion bamirës, por organ publik me kompetenca të përcaktuara me ligj. Ligji për Vetëqeverisje Lokale parasheh që komunat kanë rol dhe detyra në fushën e mbrojtjes sociale, por kryesisht në aspektin administrativ dhe infrastrukturor, jo në formën e dhënies së rrogave për njerëz që nuk punojnë. Ato ekzistojnë për t’u shërbyer qytetarëve, jo për t’u kthyer në bankomat për të privilegjuarit.

Pikërisht për këtë arsye, çdo qytetar ka të drejtë, madje detyrë morale, të kërkojë llogaridhënie për mënyrën se si shpenzohen paratë publike. Nëse dikush merr rrogë pa punuar, kjo nuk është ndihmë sociale, por shpërdorim i parave të taksapaguesve. Nuk është “mëshirë”, është padrejtësi. Dhe çdo padrejtësi që bëhet me para publike, i bie mbi kurrizin e atyre që paguajnë taksa dhe që mezi i nxjerrin të ardhurat mujore.

[pak statistikë]
Mbaj mend që para diku dhjetë vitesh, buxheti i rrogave në komunë ka qenë rreth 3 milion. Sot, sipas të dhënave gojore, flitet për afro 15 milion. Rritje pesëfish brenda një dekade nuk është thjesht “rritje normale”, është sinjal alarmi që diçka nuk shkon. Në vend që të kemi më shumë shërbime për qytetarët, duket sikur kemi më shumë njerëz në lista pagash sesa në vendet e punës.

Në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2024, mbi 38 mijë familje jetojnë me ndihmën e garantuar minimale, një formë ndihme sociale për amvisëritë që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme. Kjo ndihmë, e administruar nga Qendrat për Punë Sociale, synon të mbulojë nevojat elementare të jetesës, por vlera e saj është shumë e ulët dhe mezi mjafton për bazën. Për ta marrë, familjet duhet të dëshmojnë se janë në nevojë ekstreme dhe të plotësojnë kushte strikte, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në plane individuale punësimi dhe kontroll të vazhdueshëm të gjendjes së tyre.

vazhdojmë…
Ndërkohë, “të punësuarit pasivë” që marrin rroga të plota pa u paraqitur në punë, marrin shumëfish më shumë se një familje e tërë që varet nga ndihma sociale mujore. Kjo krijon një paradoks të thellë: shteti vendos barriera dhe kushte të rrepta për ata që janë në nevojë reale, por është tepër i butë dhe tolerant ndaj atyre që qëndrojnë në lista pagash pa asnjë kontribut. Në letër shpallemi “shtet social”, në praktikë shpesh mbrojmë privilegjet, jo të dobëtit.

Kjo është çështje e pastër drejtësie sociale. Ka të bëjë me shpërndarjen e drejtë të burimeve publike, me parimin që paga duhet të lidhet me punën dhe përgjegjësinë, dhe që shteti duhet të mbështesë ata që janë realisht në nevojë, jo ata që dinë si të futen nëpër skema klienteliste. Një sistem që shpërblen dembelizmin institucional dhe ndëshkon varfërinë me procedura të pafundme nuk është as i drejtë, as i qëndrueshëm.

Në fund, për ta përmbyllur, kryetari i komunës, z. Mendi Qyra, jo vetëm që ka të drejtë, por edhe detyrë ligjore dhe morale ta pastrojë komunën nga shfrytëzuesit dhe keqpërdoruesit e fondeve publike. Ai ka të drejtë të masë performancën, të verifikojë prezencën reale në punë, të kërkojë rezultate konkrete, dhe t’i largojë ata që nuk e justifikojnë pagën por, pa i zëvendësuar me njerëz të tjerë të “të njëjtit lloj”. Reforma nuk do të thotë vetëm të ndërrrohen emrat në listë, por të ndryshojë logjika e funksionimit, pse jo të futet edhe më shumë digjitalizim.

Nëse, eventualisht, ndodh që largon disa vetëm për t’i zëvendësuar me “të vetët”, atëherë më lajmëroni edhe mua, se kam dikënd për të punësuar. 😛

Mos harrojmë se na duhet uji, kanalizimet dhe të hiqet deponia. Të kursejmë içik!

Dhe në fund, ma bëni “hallall” se e zgjata pak por, kur vjen puna te paratë tona dhe te drejtësia sociale, nuk mjaftojnë dy fjali. 😉
Riat Abduramani

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!