Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka shënuar Ditën e Alfabetit Shqiptar me një mesazh të fuqishëm nga qyteti simbolik i Manastirit, vendi ku u zhvillua Kongresi historik i vitit 1908.
Në urimin e tij, ambasadori Meidani theksoi rëndësinë e vendimit të Kongresit të Manastirit, i cili i dha gjuhës shqipe alfabetin e njësuar, duke e shndërruar atë në bazë të unitetit kombëtar dhe përparimit kulturor.
“Alfabeti i njësuar hapi rrugën për shkollën shqipe, librin shqip, shtypin në gjuhën shqipe — dhe mbi të gjitha e ktheu gjuhën në themelin e qytetarisë moderne shqiptare,” u shpreh ambasadori, duke shtuar se “çdo shkronjë shqipe mbart sakrificën dhe shpirtin e një populli të pathyeshëm”.
Meidani e mbylli mesazhin me një thirrje për të nderuar dhe ruajtur gjuhën shqipe si një nga vlerat kryesore të identitetit kombëtar.
“Shqipja, shpirti i kombit shqiptar!”













