Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se data 28 dhjetor është ajo më e përshtatshmja për mbajtjen e zgjedhjeve.
“21 dhe 28 dhjetor janë datat që mund të bëhen sipas Kushtetutës. Tetë parti janë deklaruara për datën 28, pesë parti për datën 21 dhe 3 parti për cilën do datë. Data 28 dhjetor kam vlerësuar që mbetet data e vetme e mundshme, edhe pse kjo datë do të ketë edhe sfida për KQZ-në”, tha ajo.
Ka shtuar se pas dështimit të djeshëm të Kuvendit për të zgjedhur Qeverinë, sot përmes dekretit presidencial e ka shpërndarë.
“Para se ta nënshkruajë dekretin për shpërndarje kam bërë përpjekjen e fundit që partitë të kthehen në Kuvend që të miratohen zgjatjet buxhetore në mënyrë që as pagat e qytetarëve tanë e as funksionimi i shtetit të mos bllokohen dhe të kemi buxhet deri në mars. Së dyti ka qenë edhe pako presidenciale prej pesë marrëveshjesh ndërkombëtare në vlerë prej 1 miliardë euro dhe çështje të tjera të rëndësishme për të cilat kam shpresuar për vullnet politik”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se nuk pati vullnet politik.
“Ka ekzistuar baza kushtetuese e qartë që edhe pas dështimit të mandatarit të dytë të Kuvendit, Kuvendi të mblidhet dhe të marrë vendime. Kuvendi mund të jetë funksional derisa të nënshkruhet dekreti për shpërndarje. Në mungesë të vullnetit politik, nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveç që të nënshkruajë dekretin për shpërndarje. Është për keqardhje që nuk u arrit një dakordim i tillë, jo pse ishin marrëveshjet e dobëta por sepse mungonte vullneti”, ka shtuar ajo.
Ajo ka folur për marrëveshjet që nuk do të mund të ratifikohen, duke shtuar se ato do të sillnin të ardhura për fëmijë, spitale, biznese, fermerë e kategori të tjera.
Ka shtuar se mosvotimi i tyre nuk dënon parti, por qytetarë.
Osmani ka thënë se një Kosovë e dobësuar është humbje për të gjithë.
“Një shtet që humb fondet e BE-së dhe Bankës Botërore humb besimin e partnerëve. Thirrja ime për partitë është që të bëjnë fushatë dinjitoze dhe pas rezultateve merreni përgjegjësinë që ju takon”, ka thënë ajo,
Ajo ka thënë se data 11 janar është përjashtuar si mundësi për mbajtje të zgjedhjeve.











