Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, gjatë dëshmisë së tij në Hagë deklaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk funksiononte me strukturë të qartë komanduese dhe kontrolluese.
Sipas tij, UÇK-ja përbëhej nga individë të vetorganizuar, të motivuar për të luftuar, pa mekanizma të mirëfilltë komandimi.
Clark theksoi se ushtria serbe kishte frikë nga UÇK-ja, pavarësisht mungesës së strukturës formale.
“Kur flasim për komandë dhe kontroll, komanda nënkupton autoritet, ndërsa kontrolli lidhet me mbikëqyrjen. Nga ajo që pamë ne, UÇK-ja nuk i kishte këto elemente. Edhe vëzhguesit që kishim në kufirin Shqipëri–Kosovë nuk arritën të siguronin informacione plotësisht të besueshme”, u shpreh ai.
Ai shtoi se luftëtarët e UÇK-së shpesh vepronin në mënyrë të pavarur. “Ishte e dukshme që bëhej fjalë për një grup të motivuar. Ndonjëherë ata kapnin ndokënd – madje njëherë kishin kapur edhe një rus – por unë nuk i kushtova rëndësi kësaj. Ata ishin thjesht njerëz të vetorganizuar”, përfundoi Clark
(Struga Ekspres)











