Maqedonia e Veriut me 509 mjekë më pak se vitin e kaluar – Ministri Aliu paralajmëron riorganizim të sistemit shëndetësor
Sipas të dhënave më të fundit nga Regjistri i Licencave të Odës së Mjekëve, numri i mjekëve në Maqedoninë e Veriut është ulur me 509 krahasuar me një vit më parë. Lajmin e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ministri theksoi se Ministria ka përgatitur një Strategji Kombëtare për personelin mjekësor të nevojshëm, ndërsa paralelisht po punohet në rishpërndarjen e shërbimeve shëndetësore për të shmangur përqendrimin e madh të pacientëve në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.
“Për fat të keq, është bërë e zakonshme që pothuajse çdo pacient të përfundojë në Qendrën Klinike ‘Nënë Tereza’. Deri në 70 për qind e pacientëve marrin shërbime aty, ndërsa shumë prej tyre duhet t’i marrin në nivelin parësor apo sekondar,” tha Aliu.
Ai shtoi se organizimi i ri i sistemit pritet të zvogëlojë numrin e pacientëve në kompleksin klinik qendror dhe të shkurtojë kohën e pritjes për ekzaminime dhe ndërhyrje.
Lidhur me ndryshimet e mundshme në përbërjen e personelit, ministri bëri të ditur se analiza e profileve dhe proceseve tashmë është përfunduar, dhe pas kësaj kryeministri do të vendosë nëse do të ketë riorganizim qeveritar.
“Si ministër, po e kryej punën time,” shtoi ai.
Në kujtesë, gjatë vitit 2024, sistemi i kujdesit shëndetësor parësor në Maqedoninë e Veriut ka shënuar ulje të dukshme si në numrin e kontratave ashtu edhe në numrin e mjekëve të përgjithshëm.
Sipas të dhënave të Fondit për Sigurim Shëndetësor, numri i përgjithshëm i kontratave në kujdesin shëndetësor primar ishte 2.077, që përfaqëson 55 më pak se në vitin 2023.
Gjithashtu, numri total i mjekëve në këtë sektor në vitin 2024 ishte 2.796, ose 45 më pak se një vit më parë.
Vetëm në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm, 1.499 mjekë aktivë janë regjistruar këtë vit – 8 më pak krahasuar me 2023-in.


