Sot një vit pa Tahir Hanin nga Veleshta, simboli i përkushtimit, urtësisë dhe qëndresës në shërbim të kombit dhe qytetarëve

0
34

Një vit pa Tahir Hanin, kujtim për veprimtarin dhe politikanin e përkushtuar nga Struga

Sot mbushet një vit nga ndarja nga jeta e veprimtarit dhe politikanit të njohur strugan, Tahir Hani. Pas një sëmundjeje, ai ndërroi jetë më 8 nëntor të vitit të kaluar, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar njerëzore e kombëtare.
Miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij e kujtojnë si një njeri të urtë, të përkushtuar dhe me parime të forta, që gjithmonë vepronte me ndershmëri dhe dashuri për vendin.

Për dekada të tëra, Tahir Hani ishte pjesë e pandarë e jetës publike dhe politike në Maqedoninë e Veriut, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në proceset që përcaktuan të drejtat dhe përfaqësimin e shqiptarëve. Njihej si një personalitet i vendosur, konsekuent dhe me integritet të lartë, i cili gjithmonë e vendoste interesin e përgjithshëm mbi atë personal.

Tahir Hani lindi më 15 dhjetor 1961 në fshatin Veleshtë të Strugës. Që në rininë e hershme u angazhua për çështjen kombëtare gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1981, mori pjesë në demonstratat e asaj kohe dhe u bë pjesë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për këtë veprimtari, u arrestua nga UDB-ja dhe kaloi disa vite në burg. Pas lirimit, vazhdoi angazhimin e tij politik e shoqëror, duke qenë ndër ata që dhanë ndihmesë të madhe në forcimin e institucioneve dhe përfaqësimit të shqiptarëve në vend.

Ai përfundoi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, dhe gjatë karrierës së tij mbajti disa funksione të rëndësishme shtetërore.
Nga 2001 deri në 2005 ishte kryetar i Komunës së Veleshtës, më pas deputet në Kuvendin e Maqedonisë në periudhën 2006–2011. Nga 2011 deri në 2013 ushtroi detyrën e zëvendësministrit të Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, ndërsa në vitin 2013 u emërua Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Në vitet e fundit të jetës, Hani ishte zëvendëssekretar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke mbetur aktiv në politikë deri në ditët e fundit.

Figura e Tahir Hanit mbetet simbol i përkushtimit, urtësisë dhe qëndrueshmërisë në shërbim të kombit dhe qytetarëve.
(Struga Ekspres)