Klinika Universitare për Kardiokirurgji nën hetim nga Policia Financiare

0
73

Klinika Universitare për Kardiokirurgji është vënë nën lupën e Policisë Financiare, e cila ka konfirmuar për TV 24 se është në fazën e parahetimit me qëllim të verifikimit të mundshmeve keqpërdorime dhe shkelje të ligjit me mjetet publike.

Kontrolli ka filluar pas një denoncimi anonim, në të cilin janë paraqitur dyshime për parregullsi serioze në funksionimin e kësaj klinike shtetërore.

Nga Drejtoria e Policisë Financiare njoftuan:

“Në Drejtorinë e Policisë Financiare ka arritur një denoncim anonim ku theksohen pretendime për parregullsi në punën e Klinikës Universitare të Kardiokirurgjisë Shtetërore. Nga ana jonë janë në vijim kontrolle dhe veprime parahetimore për të konstatuar nëse ekzistojnë parregullsi apo vepra penale në kuadër të kompetencave tona.”

Ndërkohë, klinika po përballet edhe me mungesë serioze të stafit profesional. Aktualisht funksionon vetëm me dy kardiokirurgë anesteziologë, të cilët janë të domosdoshëm për kryerjen e operacioneve të zemrës.

Ministri i Shëndetësisë ka paralajmëruar se një pjesë e problemit do të zgjidhet përmes angazhimit të mjekëve nga Sllovenia, të cilët do të punojnë së bashku me kirurgët vendas për të shmangur ndërprerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale.

Megjithatë, përveç këtyre njoftimeve, ende nuk ka afat konkret për realizimin e këtij bashkëpunimi. Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se marrëveshja ende nuk është nënshkruar.