Mexhiti: Votuesi shqiptarë në zgjedhje vlerësoi punën e VLEN, Ahmeti bëri dy gabime strategjike

0
36

Mexhiti: Votuesi shqiptarë në zgjedhje vlerësoi punën e VLEN, Ahmeti bëri dy gabime strategjike

Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti në “Debat në Shenja”, ka thënë se votuesi shqiptar në këto zgjedhje lokale e ka vlerësuar punën, angazhimin, përkushtimin e VLEN dhe jo fjalët boshe dhe kjo ka dhënë një mesazh për partitë politike.

Ai mesazh, sipas tij është se votuesi shqiptarë nuk është ai i viteve 90-ta që mund ta përfitosh me një parullë politike, i dallon zgjedhjet parlamentare dhe lokale, pasi në ato lokale pret projekte konkrete dhe e sheh si një investim në komunën ku jeton.

Sipas Mexhitit, madje nuk kalon te votuesi shqiptar parulla bombastike, ndërsa ende të ballafaqohet me kushtet elementare të jetës.

“Mendoj se edhe në zgjedhjet parlamentare votuesi shqiptarë votoi për ndryshim, ata dolën me tezën se janë në superligë, me koalicion multietnik që garojnë me VMRO-në dhe LSDM-në, ne u përmbajtëm se jemi në terren shqiptarë si VLEN me pesë subjekte shqiptare dhe nëse e kemi parasysh se opozita ka qenë çdoherë rreth 80 mijë vota, ne morëm 107 mijë vota. Ata kur e humbën garën në superligë u munduan t’i kthejnë ato vota multietnike t’i krahasojnë me vota të pastra shqiptare, arritën të krijojnë një narrativë për legjitimitet, referendum, vasalitet dhe kjo na detyroi që ta pranojmë këtë sfidë dhe të përballemi në zgjedhjet lokale”, tha Mexhiti.

Ai thekson se Ahmeti ka bërë dy gabime strategjike sa u takon zgjedhjeve lokale.

“E para që 6-7 komuna u janë ndarë ASH-së së Selës dhe Taravarit ku sot shihet rezultati që është me zero dhe e dyta nuk tha se do bëjmë garë edhe në komuna tjera, por tha se më intereson Tetova dhe Çairi me theks Çairi, tjerat janë pak të rëndësishme dhe ne e pritëm këtë sfidë dhe fitoi bindshëm VLEN”, ka thënë Mexhiti.