Ibrahimi “sfidon” Ahmetin: Mund të shkojmë në zgjedhje parlamentare kur të dojë, por përsëri do jetë humbës

0
9

Ibrahimi “sfidon” Ahmetin: Mund të shkojmë në zgjedhje parlamentare kur të dojë, por përsëri do jetë humbës

Njëri nga liderët e VLEN, Zeqirija Ibrahimi në emisionin “ZOOM” në RTVM2 ka thënë se VLEN në asnjë rast nuk i ikë garës zgjedhore, qoftë edhe ato të parakohshme parlamentare.

“Ne jemi të gatshëm kur të dojë z. Ahmeti të shkojmë bashkë në zgjedhje parlamentare, absolutisht, kur të krijohen kushtet edhe një herë ta bindim se është humbës”, ka thënë Ibrahimi.

Gjasa ka për këtë, por nuk ka arsye, sepse sipas tij, shumica është stabile, pushteti lokal është i fituar dhe nuk ia vlen siç thotë, “të bëjmë një garë elektorale edhe një herë për të dëshmuar se kush është më i fuqishëm”.

“Vjen viti 2028 dhe do të ballafaqohemi, por VLEN në asnjë çast nuk i ikë garës zgjedhore. Ata e kishin çështjen se referendumi për legjitimitetin e votës shqiptare do të bëhet në Çair edhe në Tetovë, por i humbën edhe Çairin edhe Tetovën edhe listën e këshilltarëve”, tha ai.

Ibrahimi tha se VLEN është fitues i 10 komunave dhe është forca e dytë me numër të komunave në nivel të vendit.

Për atë se opozita pretendon se është fituese e zgjedhjeve në nivel kombëtar, Ibrahimi thotë se ata edhe këtu gabojnë sepse janë përsëri humbës.

“Pjesa tjetër e këshilltarëve është specifike, në Pllanicë nuk mund të llogaritën votat për garë etnike, në Çashkë nuk kemi pasur fare listë, në Vrapçisht nuk është arritur censusi, poashtu edhe në Gostivar, andaj nëse llogarisim kësisoj gjërat del se nuk është ashtu. Nëse marrim komunat qendrore ne kemi fituar edhe në këshillat edhe për kryetar komunash, në Çair, Tetovë, Saraj, Dibër, Strugë, Bogovinë… Në Kosovë, me numrin e votave për asamblistë ka fituar PDK, por nuk e bën PDK-në fituese të zgjedhjeve dhe kjo nuk është argument për ta justifikuar humbjen dhe të kapen për një fije se ata kanë fituar zgjedhjet”, tha ai.