Gjendja në veri të Kosovës: Njësia Speciale bëhet gati për t’u nisur drejt veriut

0
60

Situata në veri të Kosovës është tensionuar disa orë para futjes në fuqi të vendimit për reciprocitet me dokumente.

Gazeta Express mëson nga burime të saj se Njësia Speciale e Kosovës është duke u bërë gati që të niset drejt veriut të vendit pasi serbët kanë bllokuar disa rrugë kalimtare.

Policia e Kosovës ka njofutar më herët se janë mbyllur pikat kufitare në Bernjak dhe Jarinje.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nga 1 gushti do të hyjë në fuqi vendimi për reciprocitet me Serbinë, për çështjen e njohjes së dokumenteve.
Prej të hënës, në Kosovë, shtetasit serbë që prezantojnë në kufi dokumente identifikuese të lëshuara nga Serbia, do të pajisen me një dokument “hyrje/dalje”. Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.