Të jesh apo të mos jesh me shami?!
Opinion, Slider

Të jesh apo të mos jesh me shami?!

Të flasësh për religjionin në përgjithësi dhe për elementet e religjionit, siç është shamia, nuk është e lehtë. Je i predispozuar që tema të kthehet në debat, ndoshta edhe të ashpër. Je i predispozuar që të jesh i keqkuptuar, qëllimisht apo naivisht.

Shamia (mbulesa e kokës e femrës myslimane), rikthehet herë pas here në temë aktuale. Debati rreth shamisë nuk është një debat i ri. Nga perspektiva jonë si praktikuese është një debat i përsëritur dhe i pa nevojshëm, e madje dhe i mërzitshëm. Them me bindje i mërzitshëm pasi ky lloj debati nuk bazohet në argumente logjike, as në ato shkencore e as në ato historike. Debati apo opinion i tyre bazohet vetëm mbi motive personale, dhe aspak racionale.

“Kombi shqiptar ka veshjen e vet dhe ju… kërkoni shaminë arabe në mes të Evropës”?!

Nuk u indinjova aspak nga ky shkrim. Nuk u preka kur e pash që personi që e shkruante nuk dinte të bënte dallimin mes shkronjës “ç” dhe “q”. Kur e pash nivelin skandaloz të artikulimit të mendimit të saj. Mendova se është një person pa asnjë nivel arsimor. Nuk u shqetësova aspak pasi ajo femër nuk e njeh historinë, as nuk sheh mbrapa. Çfarë mund ti them një personi të tillë që nuk ka asnjë informacion as nga historia jonë kombëtare dhe aq më pak nga ajo botërore. Duhet t’ju rikujtoj që femra shqiptare gjithmonë ka qenë e mbuluar, gjithmonë ka mbajtur shami në kokën e saj, disa ngaqë e kanë konsideruar detyrim fetar, disa nga morali i lart e disa nga tradita, por femra shqiptare gjithmonë ka qenë e mbuluar. Ju sugjeroj të shihni arkivat shtetëror, që janë të ilustruara me foto, dhe do shihni, meqë ju nuk e dini.

Në Evropë apo në botë, pa marr parasysh besimin fetar, përgjatë historisë “zonjë” mbulesa ka qenë pikërisht ajo që i ka dhënë femrës një status honorik, duke e identifikuar atë si një femër të lirë, dhe fisnike, ndërkohë zbulimi i trupit të femrës, ekspozimi i flokëve apo rruajtja e kokës ka qenë pjesë identifikuese që kjo femër nuk është e lirë, dhe nuk ka një status në shoqëri.

Kombi dhe feja pavarësisht elementëve të përbashkët, janë koncepte tërësisht të ndryshme. Identiteti fetar e ndjek njeriun dhe nëse jeton apo jo në shtetin apo kombin e vet. Identiteti fetar nuk ka kombësi të përcaktuar dhe si rrjedhojë, feja islame nuk është vetëm e arabëve, por është e evropianëve, e perëndimorëve, e aziatikëve, e atyre në pole dhe përtej, feja islame është fe universale, që është përtej kohës, hapësirës dhe hartës gjeografike.

Bu(b)zhala dhe “çadrat”

Buzhala irritohet nga femrat me shami, frikësohet, dhe ndjehet i shqetësuar, madje i kërcënuar. Po, po kërcënohet nga realiteti i femrave me shami. Këto femra janë femra të guximshme, të cilat nuk janë pjesë e ritmit marramendës që ka kapluar një pjesë të madhe të shoqërisë. Këto femra e kanë sfiduar dhe kanë mbizotëruar përball gjigandëve të mëdhenj të komercialitetit, të kozmetikës, të botoksit dhe silikonit. Në ambientet e shtëpisë së tyre gjinden libra të shumëllojshëm, kohën e kalojnë duke ju përkushtuar familjes së tyre, janë me ambicie të tillë që zotërojnë disa gjuhë të huaja, dhe kanë disa diploma e kualifikime. Këto femra nuk gjinden në portale rozë-pink-red. Jeta e tyre dhe aktiviteti i tyre nuk është në “shitje”. Pjesët e trupit nuk i ekspozojnë, as nuk i nxjerrin në ankand, dhe as nuk i tjetërsojnë ato. Këto femra pa diskutim janë të frikshme për ata meshkuj që e shohin femrën si “produkt shitje online” ose “lajm që sjell klikime apo lexueshmëri të lartë”.

Këto femra ju kanë sfiduar dhe me krenari them që e kanë fituar çdo betejë dhe si rrjedhojë dhe luftën ndaj jush.

MSc. Rovena Tujani – Klinaku, Avokate

June 4, 2018
Struga Ekspres