Policia hyn në kompaninë e këshilltarit të BDI-së në Ohër
Maqedoni, Slider

Policia hyn në kompaninë e këshilltarit të BDI-së në Ohër

Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Publike ka hyrë sot në kompaninë e këshilltarit të BDI-së, Nefi Useini.
Nga MPB nuk japin detaje për ndërhyrjen në kompaninë e shqiptarit në Ohër.

Ndërsa televizioni Telma ka theksuar se po kryhen hetime në bazën për beton që është në pronësi të tij, por edhe për pronat tjera, përfshirë edhe lokalin që gjendet në pjesën e bregut të liqenit të Ohrit. Kontrollet po kryhen nga inspektorë për kriminalitet ekonomik në Ohër.

Komisioni Antikorrupsion dje ndërpreu tenderët që kishte fituar kompania e Useinit nga komuna e Ohrit, me arsyet se bëhet fjalë për konflikt interesi, pasi që ai është këshilltar komunal.

Useini është kryelajmi i ditëve të fundit në Ohër, pasi që ai akuzohet se ka bërë ndërtim pa leje në restorantin e tij duke uzurpuar pjesë publike. Por Useini thotë se bëhet fjalë për hakmarrje dhe se nëse do të rrënohet lokali i tij, atëherë duhet të rrënohen edhe mbi një mijë objekte të tjera paleje në pjesën qendrore të Ohrit. (INA)

August 7, 2019

Struga Ekspres