Ngreje zërin ti mësues, profesor, intelektual: Thuaji stop shpërnguljes sot, nesër do jetë vonë!
Opinion, Slider

Ngreje zërin ti mësues, profesor, intelektual: Thuaji stop shpërnguljes sot, nesër do jetë vonë!

Shkolla me dy nxënës
Kur isha te dajët më tregoi nusja e dajës që në Zajas Teqe klasa e parë kishte vetëm dy nxënës, njëri i mësueses dhe tjetri nga rrethina. Në Cërvicë edhe aty dy, nuk kam hulumtuar vendet tjera por sigurisht një më shumë ose një më pak. Dhimbje pa përshkrim. Të mallkuar paskemi qenë si popull. Të ardhur në këtë jetë për t’ju shërbyer vendeve të huaja. Trojet tona për pak kohë do transferohen në shkretira. Perceptimet e gjeneratave të reja janë globale dhe s’duan të harxhojnë kohën, vitet, paratë aty ku mbizotëron hajnia me hajna të transferuar në yje. Intelektualët bartin fajin më të madh në këto situata sepse vetëm ato/ata mund të ndalojnë proceset degraduese dhe shpërnguljen. Ata mund t’i thonë stop hajnisë në politikë dhe degradimit në arsim. Ata mund të këshillojnë dhe kritikojnë. Ata mund të propozojnë strategji ekonomike zhvillimi dhe prosperimi. Fundja pse shkollohen intelektualët? Për t’u transferuar në vegla të politikanëve që nuk kanë një ditë shkollë dhe flasin përmendësh “me të dëgjuara”, “me të thanuna”, me direktiva diktatoriale të zbukuruara me naivitet dhe përfitime partike dhe personale?! Jo.
Intelektuali është ndryshimi!
Ngreje zërin ti intelektual që asnjëherë s’bëre zë në jetën tënde por u struke për përfitime personale! Ngreje zërin ti intelektual sepse nesër nuk ke kujt ti tregosh përralla konaku dhe bile s’do jetë askush as për të të bërë qejfin!
Ngreje zërin ti mësues i shkolluar me halle sepse e ke amanet nga kafshata e të parëve që “ARSIMI ËSHTË NDRYSHIMI DHE UNË BUKË NUK HA POR FËMIJËT DO T’I SHKOLLOJ”!
Ngreje zërin ti profesor i gjimnazit sepse dikur luftonim për një klasë shqipe, sot na kanë ngelur klasat me nga një nxënës!
Ngreje zërin ti profesor universiteti sepse fjala yte peshon rëndë në shoqëri, pastaj për universitetin shqip u flijuan jetë dhe u derdh gjaku shqiptar, e ke borxh. E ke borxh sepse i përgadit gjeneratat për të kontribuar dhë ndërtuar një vend të huaj, pastaj mos harro që nesër edhe ti do mbetesh me një student dhe përgjegjësia të kalon edhe ty vetë!
Thuaji stop shpërnguljes sot, nesër do jetë vonë!
Me shumë respekt dhe dhimbje,

Gjyla Çeliku

September 29, 2019

Struga Ekspres