Slider, Sport

Kam qarë 20 minuta kur mora ftesën që të luaj për Shqipërinë

Mesfushori i ri i kombëtares shqiptare, Kamer Qaka, ka treguar emocionet e tij të para pas marrjes së ftesës së grumbullimit për median norvegjeze “Nettavisen”.

“Është e pabesueshme, kam qarë për 20 minuta. U shokova. Idhujt e mi të fëmijërisë luajnë për Shqipërinë dhe nuk di çfarë të them. Ende nuk më besohet. Kam qenë në formë të mirë këtë vit dhe gjërat duken mjaft pozitive.

Dëgjova 3-4 javë më parë nga njerëz të rëndësishëm në Shqipëri se unë duhet të grumbullohesha në kombëtare dhe se isha mjaftueshëm i mirë për të merituar diçka të tillë. Më pas papritur mora një mesazh nga klubi ku më thanë se FSHF-ja i kishte kontaktuar për të më grumbulluar. Më telefonuan nga Shqipëria për të më pyetur nëse isha i gatshëm të bashkohesha me kombëtaren”, tha fillimisht Qaka, raporton “Panorama Sport”.

“Nuk kam folur direkt me Panuçin, por kam folur me disa njerëz të tjerë. Më pyetën: ‘A do të vish në kombëtare?’ Dhe unë u përgjigja: ‘Nuk është nevoja të më pyesni.’ Isha shumë i lumtur”, shtoi 22-vjeçari.

Mesfushori foli edhe për zgjedhjen e tij përfundimtare sa i përket ekipit kombëtar, duke qenë se më parë ka luajtur për moshat e Norvegjisë. “Unë dua të luaj për Shqipërinë, kjo është ëndrra ime. Stafi i Shqipërisë më ka parë të luaj, por unë dua të aktivizohem edhe për kombëtaren që të më shohin më shumë”, përfundoi Qaka.

November 6, 2017

Leave a Reply

Struga Ekspres