Opinion, Slider

Enigma

Enigma e shpërthimit në farmacinë e babait të Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri

Pikësëpari nuk e kuptoj se si një shpërthim me eksploziv në biznisin privat të babait të Ministrit të Punëve të Brendshme, përkatësisht në farmacinë e tij, në orën 02: 50 të natës, kur në farmaci nuk gjendej askush, na qenka një akt terrorist ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme, dhe që na paska ndodhur për shkak të detyrës që mban ky i fundit?! Kur duket qartë se atentatori, apo atentatorët janë kujdesur që të mos dëmtojnë as jetën e babait të Ministrit të Punëve të Brendshme, jo më të këtij të fundit! Në këtë rast, e shumta kemi të bëjmë me dëmtim të pronës me eksploziv, por jo me akt terrorist, pavarësisht se si Kryeministri Rama, ashtu dhe ministri Tahiri kanë thënë me kohë se çdo shpërthim do të konsiderohet si akt terrorist. Në fakt, jo çdo shpërthim me lëndë plasëse është akt terrorist. Për të mos përdorur terma juridiko-penalë të pakuptueshëm për lexuesin e gjerë, që të jetë konsumuar vepra penale e llojit akt terrorist, aq më tepër ndaj një zyrtari të lartë, (që mund të jetë ose atentat, ose ajo që njihet si “vepra me qëllime terroriste”), duhet që më së paku të ekzistojë një zinxhir faktesh që mundëson lidhjen shkakësore nga e cila rezulton se shpërthimi ka qenë një tentim ndaj jetës së familjarëve të ministrit, ose ndaj këtij të fundit. Them më së paku se nga hetimet mund të dalë që motivet e kriminelit të mos kenë të bëjnë me veprimtarinë e djalit të të zotit të farmacisë, por me konflikte që kanë të bëjnë me konkurencën, shitje barnash të skaduara etj.
Pretendimet e Qeverisë se shpërthimi është reagim ndaj angazhimit të ministrit Tahiri në luftën kundër grupeve kriminale, duken më së paku të çuditshme. Grupe të tilla të rrezikshme kriminale, ndër të cilët edhe një kartel ndërkombëtar i kokainës, që kishte ndërtuar në Shqipëri laboratorin më të madh të prodhimit të kokainës në Ballkan, na paskan shënjestruar farmacinë e babait të ministrit, për të trembur ministrin! Nëse lufta e ministrit Tahiri dhe e qeverisë ku bën pjesë ai, me grupe të tillë kriminalë është serioze, atëherë do të kishte ndodhur një shpërthim pranë ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme ose pranë banesës së ministrit, përveç atij në farmacinë e babait të tij.
Meqënëse ka ndodhur një shpërthim te farmacia e babait, pa asnjë tentim të dukshëm të këtij lloji, qoftë edhe paralajmërues, ndaj ministrit, atëherë kemi të bëjmë qartësisht me një llogari të të zotit të farmacisë me kartelet e drogës. Këtu vjen në pyetje veprimtaria e vërtetë e kësaj farmacie. Se dihet që farmacitë janë një kanal i parapëlqyer për trafikantët e drogës. Aq më tepër kur babai i ministrit nuk është një farmacist që shet barna me pakicë por ai sjell barna me shumicë.
Në çdo rast, shpërthimi në farmacinë e babait të ministrit Tahiri, ndonëse është një ngjarje kriminale, që ka si autorë grupe kriminale të rrezikshme, nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me veprimtarinë e djalit të të zotit të farmacisë, por ka të bëjë vetëm tërthorazi, në kuptimin që “farmacia”, me mbështetjen ministrit Tahiri duket se po përmbys ekuilibrat në një treg që shkon përtej atij të barnave./Kastriot Myftaraj

February 11, 2015

Struga Ekspres