Dështimi i Burdushit me veten – nga njeriu që i ‘lumturonte’ të tjerët deri tek tentimi për vetëvrasje
Kosovë, Slider

Dështimi i Burdushit me veten – nga njeriu që i ‘lumturonte’ të tjerët deri tek tentimi për vetëvrasje

Ai në paraburgim ku është duke qëndruar ka dështuar ‘ta mjekojë’ vetën. Ka tentuar edhe vetëvrasjen, por ka dështuar pasi ishte hetuar nga gardianët.

Vetëm disa muaj më parë kur Burdushi ishte në liri e lartësonte vetën duke e quajtur vetën të mbinatyrshëm dhe të mbifuqishëm. Thoshte se arrin t’i shërojë njerëzit që kanë probleme, por edhe t’u gjejë atyre lumturinë.

“Bash ata që nuk besojnë unë kam qejf me ndiku te ata, kështu që ndikon. Shkruan edhe në libra fetar se magjia mund të ketë ndikim te çdo njeri” kishte deklaruar Peqani.

Burdushi kishte shkuar edhe më tej duke deklaruar se mund të shërojë edhe ata njerëz që nuk gjejnë shërim te mjeku.

“Shumica e njerëzve të sëmurë së pari drejtohen te mjekët, kur e shohin që nuk kanë zgjidhje vinë tek unë dhe unë menjëherë marrë masa, filloj t’a shoh me flakë dhe me anë të ujit që është ujë i bekuar i’a largojë djallin”, shpjegonte Burdushi.

Ai thoshte se është personi i vetëm në Kosovë që mund t’i rehatojë njerëzit, madje edhe t’ua gjejë lumturinë.

“Unë jam i vetmi në Kosovë që i bashkojë e i rahatojë njerëzit, kur të vini në zyrën time do të shihni me qindra fotografi të njerëzve që i kam bashku. Qëllimi im është që çdo familje ta ketë lumturinë e vet, pa marrë parasysh kush do të jetë, unë do të bëj çmos që ta bashkojë atë familje të jenë të lumtur” ai në të kaluarën

Peqani tregonte se një vizitë te ai kushton 20 euro por ai kishte pohuar se bakshishet nuk mungojnë asnjëherë.

Burdushi e shpjegonte magjinë si një fuqi të mbinatyrshme që nuk duket për syrin e njeriut, si një lloj energjie që nuk shihet por që ndikon në trupin e njeriut.

Por si duket magjia u prish mëngjesin e së hënës më 25 shkurt kur Burdushi provoi t’i japë fund jetës së tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Burdushi e lidhi një çarçaf për televizorin që ndodhej në dhomën e tij të burgut dhe tentoi t’ia merrte jetën vetes. Por tentimin e mjekut popullor për ta vrarë veten e ndaluan zyrtarët korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Tentimin për tu vetëvrarë e ka konfirmuar drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.

“Me datën 25.02.2019 rreth orës 05:00 te mëngjesit i paraburgosuri H.P ka tentuar të bëjë vetëvrasje, me ç’rast si mjet ka përdorur çarçafin e shtratit i cili është në dhomën e tij. Mënyrën e tentim vetëvarjes e ka bërë duke e lidhur çarçafin për TV të cilën po ashtu e ka në dhomë”, ka thënë Thaçi.

Pas tentimit për vetëvrasje Burdushi kërkoi dhomë të veçantë në qendrën e paraburgimit në Prizren “për shkak të rehabilitimit dhe disponimit”.

Burdushi përmes kësaj letre kërkon t`i jepet dhoma e veçantë për siç ka thënë “për shkak të rehabilitimit dhe disponimit”.

Kërkesa e Burdushit është miratuar nga zyrtarë të kësaj qendre.

“Kërkesën e tij e kemi miratua të njëjtën ditë dhe ai s’ka asnjë shqetësim shëndetësor’, ka thënë drejtori Hamit Ademaj.

Kujtojmë se Hysni Peqani është i akuzuar për disa vepra penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, “Burdushi” akuzohej se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ose për t`i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e të dëmtuarit.

March 8, 2019

Struga Ekspres