Sunday, November 24, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeMaqedoniIntervistë me kreun e opozitës shqiptare Bilall Kasamin nga Xhuliana Toci për...

Intervistë me kreun e opozitës shqiptare Bilall Kasamin nga Xhuliana Toci për ”Gazetën SI”

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka realizuar intervistë në Tiranë me Gazetaren Xhulia Toci për “Gazetën Si” ku mes tjerash Kasami ka folur rreth qëndrimeve të Lëvizjes BESA lidhur me Referendumin dhe mbështetjen e Lëvizjes BESA me votën PRO.

Nga Xhuliana Toci– Është padyshim momenti i dytë më i rëndësishëm në historinë Maqedonisë por këtë herë shqiptarët nuk do të abstenojnë. Ndryshe nga referendumi për shpalljen e pavarësisë nga ish-Jugosllavia, shqiptarët e Maqedonisë duket se do të jenë shumica dërrmuese që do shkojë më 29 shtator drejt kutive të votimit, për të vendosur mbi të ardhmen e vendit. Por a do të miratohet marrëveshja me Greqinë dhe çfarë do të sjellë ajo për shqiptarët e Maqedonisë? Ekspertë dhe analistë të ndryshëm shprehen se situata e tanishme në Maqedoni paraqitet e njëjtë me atë të Malit të Zi para hyrjes në NATO, periudhë në të cilën Rusia organizoi një grusht shteti për vrasjen e kryeministrit malazez. Fushata për referendumin e ndryshimin e emrit ka filluar vetëm pak ditë më parë, ndërkohë që të gjitha palët politike “kanë ndezur motorët” dhe po mbajnë tubime të mëdha në mbarë vendin. Marrëveshja mes kryeministrit Zoran Zaev dhe homologut grek, Alexis Tspiras ka marrë jo vetëm mbështetjen e Perëndimit, por edhe partive shqiptare në Maqedoni. REferendumi do të mbështetet edhe nga shqiptarët që janë në opozitë. Bilall Kasami shprehet në një intervistë për Gazetën Si, se ratifikimi i marrëveshjes së emrit dhe hyrja e Maqedonisë në NATO, janë garancia e vetme e shqiptarëve për të luftuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre. Kryetari i Lëvizjes Besa ngre gjithashtu alarmin për ndërhyrjen e Rusisë në vendin fqinj, duke deklaruar se Kremlini po ndërmerr një sërë përpjekjesh për diskreditimin e shqiptarëve. Sipas tij, ndryshimi i kushtetues që pason ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë, është gjithashtu një mundësi unike edhe për zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes së Ohrit.

Xhuliana Toci: Lëvizja juaj u formua në vitin 2014, me premtimin se do të luftojë për një shtet të barabartë për të gjithë qytetarët në Maqedoni. A i keni arritur të gjitha qëllimet që i vutë vetes katër vite më parë?

Bilall Kasami: Sigurisht misioni për të cilën Lëvizja Besa doli në skenën politike ishte diçka shumë e fuqishme dhe një nevojë e menjëhershme e të gjitha komuniteteve, veçantërisht e shqiptarëve, dhe si i tillë kërkonte pak më shumë kohë dhe eksperiencë politike. Tanimë, pas katër vitesh mund të them që Lëvizja Besa nuk ia arriti të plotësojë të gjitha kërkesat e komunitetit shqiptar dhe komuniteteve te tjera për një distancë kaq të shkurtër kohore por ajo që vlerësojmë ka të bëjë me eksperiencën politike që kemi fituar si parti dhe lëvizje e re e, sepse ne mbështetmi tek elitat e reja politike të shqiptarëve në Maqedoni, intelektualë të dalë nga tre universitete në gjuhën shqipe, të cilat nuk i kemi pasur më herët. Por kjo elite e re nuk e kishte përvojën e mjaftueshme politike për tu bërë ballë lojtarëve të brendshëm që bëjnë lojëra dhe pazare në Maqedoni. Kjo ngadalësoi dhe frenoi deri diku misionin e Lëvizjes Besa.

Xhuliana Toci: Pse thoni pse shqiptarët në Maqedoni po shpërbëhen?

Bilall Kasami: Ka lëvizje në Maqedoni që po punojnë për tjetërsimin e identitetit shqiptar, të cilat fatkeqësisht po gjejnë elementë edhe brenda trungut shqiptar. Sado që kemi diferenca krahinore, në asnjë moment nuk do të pranojmë se jemi ndryshe nga shqiptarët e Kosovës apo të Shqipërisë. Ashtu si në Kosovë edhe në Maqedoni, ka tentativa dhe fraksione që shfrytëzojnë gjithë konjukturën shtetërore dhe politike në të cilën ka udhëtuar Maqedonia ndër vite, për të përcaktuar kombësinë maqedonase si identitet etnik të të gjithë qytetarëve të saj. Kjo është shumë e rrezikshme për ne si shqiptarë pasi nuk jemi komunitet apo minoritet, jemi një popull me elemente të forta, të cilat në disa raste janë edhe me të fuqishme se ato të vetë popullit maqedonas, të cilët kanë shpesh probleme identiteti. Kjo konjukturë shfrytëzohet sa herë që flitet për drejtimin që do të marrë Maqedonia, në Lindje apo në Perëndim, ap në momentin kur në lojë futen aktorë të rëndësishëm si Rusia, për të trembur shqiptarët dhe për t’u thënë: ose do të jeni maqedonas ose Maqedonia do të marrë një drejtim tjetër nga ai i integrimit euroatlantik. Por them që më e rrezikshmja qendron brenda nesh, pasi ka edhe ide edhe tentativa të tilla nga vetë përfaqësuesit politik dhe shoqëror të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët vlerësojnë se ndoshta shqiptarët e Maqedonisë janë pak më ndryshe nga ata të Kosovës dhe Shqipërisë. Mundohen të nxjerrin në pah disa karakteristika apo të veçanta të shqiptarëve të Maqedonisë të cilat për mua nuk janë edhe aq të rëndësishme. Fatkeqësisht po shfrytëzohet edhe besimi fetar i shqiptarëve të Maqedonisë, qe të krijohet një ndjenjë apo një identitet i ri që për ne si Lëvizje Besa është e papranueshme. Shqiptarët mund të jenë praktikues më të mëdhenj të një besimi fetar, në këtë rast të fesë myslimane, por ata janë po aq shqiptarë sa ata të Shqipërisë dhe Kosovës. Prandaj them që këto janë momente kritike të tjetërsimit të identitetit tonë kombëtar. Kundërpërgjigja ndaj këtyre tentativave është më e fortë në Maqedoni, pasi në Tiranë dhe në Prishtinë këto çështje janë konsumuar me kohë. Por në Shkup mbetet sfidë a do të jemi shqiptarë dhe çfarë shqiptarësh do të jemi?

Xhuliana Toci: Duke qenë se jeni në opozitë, shumë menduan se nuk do ta mbështesnin referendumin. Pse jeni pro marrëveshjes me Greqinë?

Bilall Kasami: Një ndër arsyet ka të bëjë edhe me pozicionin gjeostrategjik të Maqedonisë, i cili është atraktiv për shumë forca rajonale por edhe globale. Në këtë drejtim, elitat politike maqedonase kanë luajtur me rolin e fuqishëm të Rusisë në rajon, duke kërcënuar se Maqedonia mund të bëhet pjesë e agjendave ruse. Ky ka qenë një kërcënim që ka prekur edhe forcat e tjera të rajonit, sidomos Malin e Zi. Tani duhet të mbyllen njëherë e përgjithmonë këto dilema dhe Maqedonia të bëhet pjesë e NATO-s. Anëtarësimi në Organizatën e Atlantikut të Veriut do të jetë një garanci se shqiptarët nuk do të mund të kërcënohen kur të kërkojnë të drejtat e tyre kolektive dhe etnike dhe të paralajmërohen se nëse “ju bëni presion që të jeni të barabartë me maqedonasit, ne kemi edhe variantin që të afrohemi me vëllezërit tanë rusë ose sllave”. Ndërhyrja ruse është shumë e fortë në Maqedoni, ashtu siç ishte në Mal të Zi para hyrjes në NATO. Por kjo forcë është një rrezik ekzistencial për shqiptarët, duke qënë se lidhjet më të forta të rusëve janë më VRMO DPMNE-në. Përpjekjet dhe ndërhyrjet e Rusisë kanë rënë gjithmonë ndesh me interesat e shqiptarëve. Duhet të përcaktohet se nëse Maqedonia bëhet pjesë e NATO-s, shqiptarët do të kenë potencialin e brendshëm politik për të arritur të drejtat e tyre kolektive.

Xhuliana Toci: Gati 85% e shqiptarëve mbështesin marrëveshjen e emrit me Greqinë, por vetëm 30% e maqedonasve janë pro saj. A mendoni se ky është një moment që duhet të shfrytëzohet nga të gjitha partitë shqiptarë për të risjellë në vëmendje zyrtarizimin e gjuhës shqipe, apo zbatimin e pikave të tjera të Marrëveshjes së Ohrit?

Bilall Kasami: Ka një paralelizëm të rëndësishëm, mes dy referendumeve më të mëdhenj që ka pasur Maqedonia, ai për pavarësi dhe referendumi i tanishëm për anëtarësimin në organizatat euroatlantike. Pasi bojkotuan referendumin e parë dhe i kanë pasur si “shpatë pas koke” akuzat se ishim kundër mëvetësimit të Maqedonisë, tanimë shqiptarët e kanë pjekurinë e duhur politike që përballë abstenimit të zgjedhim një alternative historike. Ky referendum është po aq i rrezikshëm për shqiptarët po aq sa edhe i pari, në dimensionin etnik, pasi ka të bëjë me dëshirën e shtetit maqedonas për të forcuar elementin homoetnik. Por këtë herë, shqiptarët po tregohen më të mençur, duke u bërë partnerë të komunitetin ndërkombëtar dhe faktorëve të rëndësishëm në Uashington dhe Bruksel, në drejtim të përkrahjes së integrimit të vendit në disa struktura që nesër mund t’i shfrytëzojmë për të arritur të drejtat tona. Edhe pse çështja e zgjidhjes së emrit dhe identitetit të Maqedonisë, nuk është në interes të drejtpërdrejtë të shqiptarëve, ne e përkrahëm për integrimin e vendit në BE dhe NATO. Mendoj se referendumi është një kauzë e përbashkët që do t’i bashkojë edhe më shumë shqiptarët dhe maqedonasit. Pas anëtarësimit në BE dhe NATO, maqedonasit do t’u jenë mirënjohës shqiptarëve që çuan përpara këtë kauzë. Dhe nëse referendumi kalon me sukses, ne do të shfrytëzojmë momentin e ndryshimit të kushtetutës për të sjellë në vëmendje zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

Xhuliana Toci: A i përmbush angazhimi i Tiranës zyrtare pritshmëritë tuaja?

Bilall Kasami: Vetëm një ditë më parë takova ministrin e jashtëm shqiptar, zoti Ditmir Bushati, i cili më siguroi për mbështetjen e plotë Tiranës zyrtare për referendumin në Maqedoni. Në fakt Shqipëria e ka të detyruar në kushtetutë t’i mbrojë të drejtat e shqiptarëve jashtë vendit, por them se nuk po bën mjaftueshëm. Sigurisht nuk po them të përfshihet aq sa të ndikojnë në qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e Maqedonisë por duhet të angazhohet më shumë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve atje. Politika e Tiranës ndaj shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, nuk mund të varet vetëm nga një kryeministër apo qeveri që angazhohet për afrimin me Shkupin. Duhet të ketë një strategji afatgjatë që të vazhdojë edhe pasi kryeministri të ikë nga detyra.

Xhuliana Toci: Pas sa vitesh e shihni Maqedoninë në BE?

Bilall Kasami: Unë jam natyrë optimiste dhe duke parë angazhimin e madh të Perëndimit ndaj Republikës së Maqedonisë, them se rruga drejt BE-së është e hapur. Nëse referendumi rezulton një sukses dhe marrëveshja ratifikohet, them se Maqedonia do të jetë pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2015, së bashku më Shqipërinë.

Gazeta Si

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!