“Mbi 8 mijë në Saraj. Mbi 6500 vota në Likovë. Mbi 4 mijë në Dibër, Studeniçan, Tearcë, Bogovinë e Vrapçisht. Mbi 3 mijë në Zhelinë e pothuajse kaq edhe në Haraçinë”, këto janë disa komunat me shumicë shqiptare ku para 5 muajsh Presidenti aktual Stevo Pendarovski ka fituar bindshëm.
U promovua si kandidat konsensual i pushtetit, por Pendarovski assesi të mësohet me gjuhën e mijëra votuesve të tij shqiptarë. Edhe në urimin e sotëm për 11 tetorit, kabineti i Pendarovskit s’u kujtua që të paktën titrat të jenë në shqip, por u kujdesën që ato të jenë në gjuhën maqedonase. Më mirë nuk qëndron as kryeministri Zoran Zaev. Postimet e sotme në Facebook i ka vetëm në një gjuhë.
E për dallim nga Zaev e Pendarovski, Ditën e kryengritjes popullore Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e ka uruar edhe në shqip. Ndonëse shqiptarët kanë qenë të ndarë dy ftonte, partizanë dhe ballistë, historiani Fati Iseni pohon se kontributi i shqiptarëve në luftën nacionalçlirimtare është i pamohueshëm.
Duke u mbështet në dokumente arkivore, Iseni tregon se edhe komunikimi zyrtar mes partizanëve në Maqedoninë Perëndimore është bërë pa problem edhe në shqip.
“Është mjaft interesante se këmbimi zyrtar i informatave dhe komunikimeve që janë bërë në atë kohë ka qenë gjuha shqipe pothuajse e barabartë dhe komunikimet janë bërë pa asnjë problem dhe një pjesë e dokumenteve arkivore që janë ruajtur, nuk e di nëse të tjerat janë shkatërruar, janë në gjuhën shqipe, pra paramendo nuk ka paraqitur asnjë problem në atë kohë komunikimi oficial në gjuhën shqipe i këtyre aradheve partizane me kreun e LNÇJ-së”, deklaroi Fati Iseni, historian.
Deri sa autoritetet tona kanë vështirësi në respektimin e dygjuhësisë, ose lënien anash të shqipes, shembull për t’u ndjekur është Ambasada e Francës në Shkup, e cila në çdo postim shkruan në tre gjuhë, frëngjisht, maqedonisht dhe shqip.