Deri në fund të javës presidenti Gjorgje Ivanov ka kohë për të zvarritur dekretimin e marrëveshjes me Greqinë deri javën e ardhshme, kur kjo marrëveshje rikthehet në Kuvend për lexim të tretë, gjegjësisht për votim të dytë.
Ligji për ratifikimin e marrëveshjes u miratua të mërkurën e javës së kaluar ndërsa në të njëjtën ditë iu përcoll presidentit për dekretim në një afat prej 7 ditëve.
Por, Ivanov paraprakisht bëri të ditur se nuk do të vendos nënshkrimin e tij për të legalizuar marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit dhe afati i tij prej 7 ditë pune skadon më së voni të premten.
Pas këtij afati, Kushtetuta parasheh që ligji që nuk dekretohet nga presidenti të kthehet në Kuvend për lexim rivotim me shumicë të thjeshtë. Sipas kësaj dispozite ligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit tre dekadësh rreth emrit pritet që në Kuvend të rikthehet javën e ardhëshme.
Duke patur parasysh tempon e deritanishme që ka ndjekur kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, nuk përjashtohet mundësia që kjo marrëveshje në rend dite të vendoset që ditën e parë të javës së ardhshme. Kjo seancë nuk pritet të zvarritet pasi VMRO-DPMNE që në lexim të parë vendosi që këtë ta bojkotojë deri në fund të procedurës. Votimi i parë i ligjit për ratifikimin e marrëveshjes përfundoi për vetëm dy ditë.
Në ditën e parë, të mërkurën e kaluar Kuvendi miratoi nevojën për miratimin e ligjit, dhe ligji u miratua në dy komisionet amë, atë për çështje evropiane dhe komisionin juridiko ligjvënës. Seanca plenare për ratifikimin e marrëveshjes u caktua për të nesërmen kur për diskutim u paraqitën vetëm kryeministri dhe deputetët e shumicës.
Pas një debate të shkurtër, me 69 vota pro deputetët miratuan ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë. Por, dilemat më të mëdha mbeten për fazën pas votimit të dytë të ligjit, pasi Kushtetuta thotë se presidenti është i obliguar të nënshkruajë ligjin.
Por, presidenti Gjorgji Ivanov ka paralajmëruar se nuk do ta nënshkruajë edhe pas votimit të dytë, ashtu siç kishte vepruar paraprakisht edhe me ligjin për përdorimin e gjuhëve. Zyrtarisht as nga Qeveria as nga shumica parlamentare nuk kanë zbuluar strategjinë se si do të zyrtarizojnë ratifikimin e marrëveshjes pa nënshkrimin e presidentit. Jozyrtarisht përfliten disa variante, duke filluar nga mundësia që ligji të shpallet në gazetë zyrtare vetëm me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Varianti i dytë është interpretimi që do të kërkohet nga Gjykata Kushtetuese për këtë situatë, ndërsa variant i tretë mbetet implementimi i marrëveshjes pa dekretimin e presidentit dhe pa shpalljen e të njëjtës në gazetën zyrtare. /SHENJA