Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë kohë një vit për t’i ndryshuar targat e automjeteve të tyre.
Ky obligim rrjedh nga Marrëveshja e Prespës që mbylli kontestin mes Greqisë dhe Maqedonisë për ndryshimin e emrit të shtetit, që mundësoi edhe integrimin e vendit në NATO.
Në bazë të saj, “kodi i shtetit në targat e automjeteve ndryshohet nga MK në NMK”, përkatësisht shtohet shkronja N që paraqet parashtresën North (Veri) në përputhje me ndryshimin e emrit të shtetit.
“Të gjithë pronarët e automjeteve të regjistruara janë të detyruar të zëvendësojnë targat që përmbajnë shenjën MK, të lëshuara deri në ditën e fillimit të zbatimit të kësaj rregulloreje [15.01.2021], përkatësisht targat e tilla mund të përdoren jo më vonë se data 12.02.2024”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme maqedonase.
MPB-ja bën të ditur se pronarët e automjeteve duhet të paraqesin kërkesë për ndryshimin e targave në stacionet e autorizuara të kontrollit teknik, ku në bazë të kërkesës, bëhet ndërrimi i targave dhe lejes së qarkullimit.
Qytetarët shprehen të indinjuar me faktin se shpenzimet për ndryshimin e targave nuk i merr përsipër shtetit, ose në vend të ndërrimit të targave atyre t’u vendosen letra ngjitëse me kodin e ri NMK, në mënyrë që mos t’u nënshtrohen shpenzimeve plotësuese “në këtë kohë krize”.
Për ndërrimin e targave të një automjeti ata duhet të paguajnë 1.510 denarë ose rreth 25 euro, por këtë nëse nuk e bëjnë para regjistrimit të automjetit, përkatësisht e lënë këtë obligim pas kontrollit të rregullt të automjetit, atëherë do të duhet të paguajnë edhe 800 denarë shtesë ose 13 euro.
“Normal se në krizën në të cilën jemi, çdo pagesë shtesë është si për automjetet private po ashtu edhe për ne si kompani që disponojmë me më shumë vetura. Nëse shteti nuk subvencionon një pjesë të shpenzimeve do të ishte mirë që mos ndryshohen targat, por të vendosen ngjitëse me ndryshimet që duhet të kenë targat”, thotë Jashar Hirda, pronar i një auto-shkolle, që ka 24 automjete.
Një qytetar tjetër, Damir Ilievski, thotë se është e pakuptimtë që buxheti familjar të rëndohet me 50 euro plus për të ndërruar targat e veturës së tij dhe të bashkëshortes.
“Nëse shteti obligohet të realizojë një gjë, duhet të marrë edhe obligimet e realizimit, dhe jo tash qytetarët të paguajnë për këtë – edhe atë dyfish me shumë. Ne kishim përvojën kur ne vend se t’i ndërronim targat, vendosnim ngjatës. Pse mos e bëjmë te njëjtën gjë edhe tani?”, thotë ai.
Referuar të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në vitin 2021 në Maqedoninë e Veriut ishin regjistruar 559mijë automjete. Sipas kësaj shifre, del se në arkën e shtetit do të hyjnë 13.7 milion euro nga pagesa që do të bëjnë qytetarët për ndërrimin e targave.
Ndërsa kompania që e ka fituar tenderin, në bazë të dokumentacionit nga drejtoria e të hyrave publike në MPB, për këtë shërbim do të paguhet 2.1 milionë euro.
Në bazë të dokumentacionit që është fituar tenderi, targat për një automjet kushtojnë 470 denarë, për automjete që ushtrojnë veprimtarinë si taksi 227 denarë, dhe për automjetet me targa diplomatike 170 denarë. Rrjedhimisht, i bie që qytetarët do të paguajnë trefish më shumë.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk i është përgjigjur REL-it se pse nuk u mundësohet qytetarëve që mos kenë shpenzime shtesë dhe t’u ofrohet zgjidhje që targave ekzistuese tu vendosen ngjitëse me kodin e ri.
Sipas Ligjit për automjete, nëse automjeti është në komunikacion me targa të ndryshme nga ato të parapara, parashihet gjobë në shumë prej 100 eurosh./REL