Xhaka e Shaqiri parat e mbledhura për gjobën i japin për bamirësi
Maqedoni, Slider, Sport

Xhaka e Shaqiri parat e mbledhura për gjobën i japin për bamirësi

Aksioni i realizuar në Shqipëri për mbledhjen e parave me qëllim të pagesës së dënimit të FIFA-s për “Shqiponjat” e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit ka përfunduar me sukses.
Falë solidaritetit të shqiptarëve shuma është mbledhur me shpejtësi. Mirëpo, futbollistët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, përmes familjarëve të tyre kanë njoftuar se nuk do t’i pranojnë paratë e mbledhura, por dëshirojnë që ato t’i japin për qëllime humanitare.

Me kërkesë të tyre do të ketë ndarje proporcionale të shumës prej 25.000 franga zvicerane për shërimin e 3 fëmijëve (një në Shqipëri, një në Kosovë dhe një në Maqedoni) që kanë nevojë për intervenime të shpejta mjekësore.

Prandaj, Klan Kosova njofton opinion se ka formuar një komision profesional mjekësor i cili do ta bëjë përzgjedhjen e rastit më urgjent për shërimin e NJË fëmije nga Kosova, të cilit do t’i dhurohen 8.300 franga zvicerane në emër të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

Të gjithë të interesuarit për t’u bërë përfitues potencial të këtij fondi humanitar duhet ta sjellin dokumentacionin përkatës shpjegues me dëshmitë zyrtare mjekësore deri të hënën, më 2 korrik 2018, në orën 15:00, në ndërtesën e Klan Kosovës, ish Fabrika e Amortizatorëve, në Prishtinë.

Pastaj, komisioni profesional i mjekëve do ta bëjë përzgjedhjen dhe do ta kontaktojë familjen e fëmijës.

July 2, 2018
Struga Ekspres