Friday, April 19, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionTitujt shkencorë i mbajnë injorantët dhe kriminelët marrin dekoratat

Titujt shkencorë i mbajnë injorantët dhe kriminelët marrin dekoratat

Edison Ypi

Frikacakët inkurajohen. Trimat përbuzen. Titujt shkencorë i mbajnë injorantët. Dekoratat kriminelët. Sa më tepër punë tu bësh, aq më pak vota të japin. Portalet, gazetat, televizionet, i ushqen korrupsioni, i mban politika, i paguan mafia.

Populli telefonon çdo mëngjez televizioneve pa e ditur as vetë pse. Kokëtrashë që organizojnë evente artistike, letrare, poetike, sillen në të katër anët si hiena që lëpijnë kërrma, si çakaj që hanë ngordhsina. Rrëshqanorë gjirizash burokratikë, butakë pa kocka dhe shtyllë kurrizore, gjallesa primitive pa asnjë ndjeshmëri apo dashuri njerëzore, mbijetuesa ordinerë që mbahen për artistë, shkrimtarë, poetë, që zhgarravisin neverira estetike, bëjnë promuovime pështirosëse me fonde të xhvatura.

Administrata shtetërore nepotike dhe partiake nuk ka asnjë etikë sjelljeje dhe asnjë shtysë morale. Për përgjegjësi qytetare, intelektuale, patriotike nuk bëhet fjalë. Thonë se duan të hapin dosjet e spiunllëkut. Por këtu spiuni i ndyrë quhet “zotëri i nderuar”, ndërsa të tjerëve që me spiunllëkun janë më të largët se me infinitin, u shpikin ndërlikime inekzistente. Programet televizive nuk kanë asgjë interesante. Pa filtër, pa kod, pa stil, janë thjesht rrëfime lineare të asaj që syri sheh, veshi dëgjon, hunda nuhat. Filmat e prodhuara në Shqipëri gjatë diktaturës janë neveritë propagandistike më absurde dhe më qesharake që ka njohur bota, janë këllirat estetike me efekte tragjike mbi shëndetin mendor të atyre që i kanë parë dhe i shohin, janë helmet kulturore dhe sociale më të rrezikëshme prej të cilave shqiptarët mezi shpëtuan.

Megjithatë, trutharë të njohur që mbahen për eksperta po thonë se ato filma janë luajtur nga aktorë të mëdhenj dhe jo vetëm nuk duhen ndaluar, por përkundrazi duhen restauruar. Konservatorizmi është elitarizëm, seriozitet, elegancë, rafinatecë, stil, vetpërmbajtje.
Teoricienët konservatoristë ku i kemi varur shpresat janë ca halldupë trashanikë, ca hajvanë ngrehalucë, dallamango, derra të panginjur që mezi presin të shtrohet dreka dhe darka, të kërrcasi tapa, të ngulet piruni, të mbushet luga, të kullufitet pilafi, të ngrihen gotat, të rrëkëllehet rakia, të bëhet selfia.

Liberalizmi është diçka e ndritur, diçka e ndryshme, alternative, që tek dishepujt e vet provokon emocion, ngjall shpresë. Liberalizmi ynë është një errësirë plot me plebej të pështirë ku të nxjerrin sytë hajdutët, një baltovinë ku të helmojnë nëpërkat dhe gjarpërinjtë e korrupsionit. Këtu këndohet kënga e hidhet vallja në një aheng pa fillim e fund.

Pa folur për muzikën për të vjellë, tekstet e këngëve janë aq pa lidhje sa kur i dëgjon bindesh se ai që ka shpikur Alfabetin ka qënë krimineli më i rrezikshëm. Këtu demokracinë e sollën viktimat që vuajtën në diktaturë tmerre që nuk i ka parë bota. Duhej të ishin të vuajturit pra, ata që Shqipërinë ta qeverisnin për nja mijë vite rrjesht. Shqipërinë po e shkapërdhejnë ata që e bënë kasaphanë, bijtë e etërve kriminelë. Asnjë premtim nuk mbahet, asnjë afat nuk respektohet, asnjë parashikim nuk mund të bëhet. I vetmi ngushëllim është shpresa ngordhalaqe se ndoshta çmendina nuk do bëhet kasaphanë.

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments