Strugë, lagjja e zhytur në mbeturina mirëpret turistët (VIDEO)
Qyteti, Slider

Strugë, lagjja e zhytur në mbeturina mirëpret turistët (VIDEO)


Shtëpi me kuti kartoni dhe mbeturina në bregun e Drinit të Zi është pamja e parë për Strugën turistike që në hyrjen e saj. Këto rreth 50 familje jetojnë pa kushte elementare për jetë. Edhe pse kjo lagje gjendet afër qendrës së qytetit, askush nuk merr masa që situata e cila zgjat me vite të tejkalohet.

“Në këtë lagje duhet të vijë ekskavatori dhe të rrafshojë çdo gjë. Duhet të na japin banesa. Kushtet janë të tmerrshme, pa punë dhe pa asgjë jemi. Ne votuam për kryetarin Ramiz Merko, për këtë shkak, duhet të vijë dhe të na jep fjalë. Siç vinte këtu, duhet edhe tani të vijë të shikojë si jetojmë”.

“Shihet si është. Nuk ka kushte. Nuk kemi kontejnerë të mjaftueshëm ndërsa mbeturinat hidhen gjithandej. Nuk merret frymë lirshëm. Çdo katër vite kemi pretime kur ka zgjedhje. Kinse do të ndërtohen ndërtesa dhe shtëpi, por asgjë nga kjo…”.

Reagime ka edhe nga fqinjët në godinat përreth.

“Jetoj në ndërtesën përballë. Është kaos i vërtetë. Tash ka përmirësim pak, por megjithatë ka shumë mbeturina. Është shpërndarë gjithandej dhe kundërmon”.

Nga ndërmarrja publike komunale e Strugës për Alsat shprehen se kanë problem serioz me mbarëvajtjen e higjienës në këtë lagje. Pohojnë se dy herë në muaj me eskavatorë pastrojnë mbeturinat ndërsa mendojnë të punësojnë punëtorë shtesë të cilët do të angazhohen për pastrimin e kësaj pjese të qytetit.

Miki Trajkovski

May 12, 2018
Struga Ekspres