Thursday, March 28, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionPse ky vend nuk bëhet?

Pse ky vend nuk bëhet?

Nga JETA TOÇILA

“Ky vend nuk bëhet!” Këtë fjali mund ta keni hasur shpesh jo vetëm si një slogan facebook-u, por edhe si fjalinë përmbyllëse të bisedave mes shqiptarëve mbetur brenda territorit. Të lë një shije të hidhur apo jo? Është rraskapitëse të ngrihesh nga një bisedë mes miqsh të mirë me ndjesinë tronditëse të mungesës së shpresës. Çdokush dëshiron një jetë të begatë, pa halle e shqetësime, sidomos kur këta janë njerëz të punës, asaj pune që njihet dhe supozohet të mbrohet nga ligjet. Por nga dita në ditë po vëmë re se si njerëzit e penës ashtu edhe të krahut, po duan të ikin nga ky vend. Shtohen aplikimet nga viti në vit për në USA apo Kanada, ose Gjermani. Janë të rinj e të reja që marrin rrugët jashtë vendit për edukim, duke u këshilluar nga prindërit të mos kthehen më në Shqipëri. Janë vajza e djem të fuqishëm, plot energji që aplikojnë për punë jashtë vendit duke u lutur të martave në Kishën e Laçit t’u ecë mbarë. Janë gra në mjerim që pranojnë të eksportohen si gjë e gjallë në shtetet fqinje, në këmbim të kafshatës së përditshme. Janë familjarë me një karrierë mbi supe, me fëmijë, fis e shoqëri të gjerë të cilët dëshpërimisht largohen. Janë profesionistë të arrirë në vend të pavlerësuar mjaftueshëm, që rreken të gjejnë veten diku tjetër. Nuk është eksodi i marsit apo gushtit 1991 më i madhi, jo. Ato ishin eksode me bazë të theksuar emocionale për shkak të rrethanave historike. Sot po ndodhin eksodet më të mëdha të shqiptarëve, sepse janë largime të mirëmenduara, analizuara, planifikuara e stërdiskutuara me veten e të tjerët.
Këtyre njerëzve që ikin, por dhe atyre që ende mendojnë të ikin, ose iu është vrarë shpresa, ose ndihen të poshtëruar ose janë të frikësuar. Duket se prej disa vitesh janë instaluar mes nesh kultura e mungesës së shpresës, e poshtërimit dhe ajo e frikës, me të cilat Dominique Moisi thotë se rindërtohet bota, por që në Shqipëri po ndikojnë në evakuimin e popullatës. (Ju lutem mos i jepni ngjyra partish, pasi çdo qeveri ka pjesën e vet të fajit).
Të kesh shpresë do të thotë të kesh besim tek vetja, tek aftësitë e tua, ose nëse e marrim në aspektin fetar të kesh besim tek Zoti. Por besimi tek vetja, për njerëzit e punës në Shqipëri sulmohet çdo ditë nga të paaftët, nga rojtarët e injorancës supreme, nga kastat solide të atyre që luftojnë talentet. Dhe nëse ky vetëbesim nuk sulmohet direkt, ka edhe sulme indirekte përmes lartësimit në media të figurave boshe që vetëm xhepat dhe llogaritë bankare kanë plot. Njeriu i punës vë përballë arritjeve të shpejta të këtyre personazheve të suksesit, përpjekjet e tij prej Sizifi dhe pushtohet prej absurdit. Që të shpëtojë, i duhet të sfidojë këtë vend absurd, duke imagjinuar lumturinë jashtë tij. Dhe nis e projekton të ardhmen larg…
Nga ana tjetër, çdo ditë tregëtarë apo njerëz të thjeshtë, punonjës administrate apo artistë, përballen me poshtërime të ndryshme. Diku është një polic që i vë shkelmin shportës me fiq, diku tjetër një drejtues marionetë e matrapaz që kërcënon e manipulon nënpunësin e ndershëm. Diku një pronar që shfrytëzon punonjësit e pasiguruar, apo një administrator lagjeje që bën rolin e bajraktarit. Njeriu i mendjes dhe i punës, aspak partiak, ndjen se nuk ka asgjë në dorë për të vendosur të drejtën në vend, dikush tjetër e kontrollon të ardhmen e tij. Ai pushtohet nga ndjenja e frikës. Frika si një përgjigje emocionale ndaj perceptimit real ose imagjinar të një rreziku të mundshëm i jep forcë për mbijetesë. Për të mbijetuar planifikon të braktisë vendin ku balta nuk i duket më e ëmbël se mjalta…
Nëse do t’ishte gjallë Henri de Saint Simon mund të thoshte se Shqipëria është katandisur një komb me trup pa shpirt. Shpirtin e një kombi e përbëjnë njerëzit-zotër të artit, shkencës, sportit, letrave e kulturës së gjerë. Shumë prej tyre e kanë lënë Shqipërinë, të tjerët të gjallë ose vdekur lihen në harresë. Disa mund edhe ta kenë shitur shpirtin në ndonjë parti dhe për rrjedhojë nuk mund të kontribuojnë as në peshën e 21 gramshit.
Prandaj trupit pa shpirt të Shqipërisë sonë i kanë bërë gjithçka kanë dashur politikanët e çdo partie, sepse ai nuk ka forcë të lëshojë pasthirrma dhimbjeje, përsa kohë shpirti i tij endet nëpër botë, ose copëzat e mbetura të tij nuk guxojnë të shfaqen të bashkuara në ditët plot diell…

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments