Friday, April 19, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionMë zuri haku i babait

Më zuri haku i babait

Unë që po ju shkruaj jam një burrë shumë i vetmuar. Jeta më ka vënë para një prove shumë të madhe, që nuk e di a do mundem ta përballoj. Kur isha i vogël, dëgjoja prindërit e mi që thoshin se çfarë ke bërë në këtë jetë, do të ta bëjnë. Këtë shprehje ata e përdornin për të rinjtë dhe thonin se nëse nuk sillen mirë me prindërit, edhe fëmijët e tyre ne këtë mënyrë do të sillen. Atëhere, kur i dëgjonim këto shprehje, nuk u jepnim shumë rëndësi, por tani që na kaloi mosha, po e kuptojmë se sa shumë vlerë kanë…
Kur isha djalë i ri, u fejova me mblesëri dhe ishte pikërisht një shoku im që ndërhyri për lidhjen time me Shqipen. Ajo ishte shumë e bukur dhe unë u josha prej bukurisë së saj, pa e kuptuar se hallet dhe problemet me të do t’i kisha më mbrapa. Prindërit e mi jetonin në fshat, ndërsa ajo ishte vajzë qyteti dhe nuk preferonte që ne të jetonim në fshat. Unë isha arsimtar, punoja në fshatin ku kisha lindur dhe në atë kohë ishte e vështirë të shpërnguleshe në qytet. Në fillim, Shqipja pranoi të martohej me mua se mendoi se do të shpërngulesha në qytetin e saj, atje ku ajo jetonte e vetme, me nënën e vet. Mbasi bëmë dasmë, i thashë nuses se unë nuk munda ta rregulloja shpërnguljen në qytet, por ajo, në sy të tim eti, më kërcënoi:
– Nëse nuk shpërngulemi, unë do hidhem nga dritarja!
I thashë se kjo nuk ishte në dorën time, por ajo nuk pyeti, hipi në dritare dhe ishte gati të hidhej nga kati i dytë i shtëpisë. E kapa prej krahu dhe e qëllova me pëllëmbë me sa fuqi kisha. Mbas asaj zënke, në shpirtin tim nuk pati më qetësi. Ajo iku dhe më tha vetëm kaq:
– Nëse më do, di se ku më gjen.
Kështu, ajo mori gjërat e saj dhe iku në qytet, tek e ëma. Të gjithë zënkën me bashkëshorten time im atë e pa dhe, mbasi iku ajo, më uli në karrige dhe më tha:
– Djali im, ndaje më mirë sot atë grua, se është një gjarpër që do të të hajë kokën!
Atëhere isha vetëm 25 vjeç dhe nuk ua kuptova rëndësinë e fjalëve që më tha im atë. Menjëherë u ngrita në këmbë dhe i thashë se unë nuk mund të bëhesha gazi i botës; unë e doja gruan time dhe do ta ndiqja nga pas. Mbas asaj bisede, u ndava përjetë nga im atë. Vendosa të shkoja pas gruas sime, pasi ajo në atë kohë ishte dy muajshe shtatzënë dhe nuk mund ta braktisja në atë mënyrë. Mirëpo të gjithë këtë sakrificë që bëra për të, gruaja ma mori për dobësi dhe e gjithë jeta me të më kaloi duke u shndërruar në një lodër në duart e saj, që më manipulonte si t’i donte qejfi. Mbas dy vjetësh, fillova punë në qytetin e saj dhe kështu, filluam një jetë normale. Me tim atë nuk komunikoja fare sepse edhe Shqipja nuk e donte, ngaqë nuk ishte dakord me lidhjen tonë. Nëna më kish vdekur nga zemra kur unë isha 15 vjeç dhe im atë mezi na kish rritur mua dhe tim vëlla. Ai jetonte me vëllanë tim të vogël dhe shumë herë kishte dashur të më takonte. E dija që i pyeste njerëzit gjithmonë për mua, por unë mendoja se ai do të më ndante nga gruaja prandaj nuk e takova për dhjetë vjet rresht, deri ditën kur më erdhi një telegram që më lajmëronte se im atë kishte vdekur…
Ajo ka qenë dita më e zezë e jetës sime! U ula mbi trupin e tij të ftohtë dhe qaja e qaja pa pushim. Në atë kohë kam kaluar një stres të paparë. Mbas vdekjes së tim eti, nuk doja ta shikoja më me sy gruan time; çdo ditë e më shumë më shtohej një lloj urrejtjeje për të, që nuk mundesha ta shmangia dot. Kisha dy vajza që në atë kohë ishin njëra 15 dhe tjetra 12 vjeçe. Në shtëpi shkoja vetëm për hatrin e tyre… Sa shumë e dënoja veten që nuk i kisha folur tim eti! Vëllai më tregonte se ai kishte vdekur, me emrin tim në gojë. Kur isha i ri, nuk ia dija vlerën prindit, por tani që u bëra prind vetë, e kuptoj se sa e rëndë ka qenë për të fakti që unë e mohova.
Me Shqipen kisha dashur të ndahesha prej kohësh sepse ajo nuk bënte për mua; babai im kishte patur të drejtë… Vërtet ishte një femër shumë e bukur, por bukuria nuk është gjithçka në jetë. Unë për të isha një kafshë pune. Më donte vetëm për të sjellë lekë në shtëpi dhe ajo asnjëherë nuk kishte të ngopur. Pas vdekjes së tim eti, bëra një debat me të dhe në fund, i thashë:
– Unë në këtë shtëpi jetoj vetëm për vajzat dhe nuk mund të fle me ty në një krevat!
Kështu ndodhi për dy vjet derisa unë vendosa të ndahesha prej saj përfundimisht, pasi kisha filluar të mos duroja dot më as praninë e saj në shtëpi. Mirëpo të gjithë këtë, ajo e përdori për të më vënë kundër vajzave, të cilave ua mbushte kokën me lloj–lloj gjërash, në mënyrë që ato të më urrenin dhe të mos komunikonin më me mua. Ajo u thosh se unë kisha zënë dashnore dhe prandaj po i braktisja ato. Vajzat ishin në moshën më delikate dhe ajo, me të këqijat e saj, kishte filluar t’i manipulonte. I kishte hedhur kundra meje, duke u thënë se unë nuk i doja ato dhe se asnjëherë nuk i kisha dashur. Por, edhe pse ajo po bënte të pamundurën për të më mbajtur mbas vetes, unë përsëri e kisha vendosur: Nuk kthehesha dot në shtëpi të shikoja fytyrën e saj, atë fytyrë që më ndau përjetë me tim atë. Mbas ndarjes me të, shtëpinë ua lashë vajzave dhe unë, edhe sot e kësaj dite, jetoj në një shtëpi me qira, ndërsa ajo e arriti qëllimin e saj, më ndau nga vajzat e mia, duke ua ngulitur në mendje se unë gjithmonë kam qenë një prind i keq për to.
Vajzat sot kanë jetën e tyre dhe u bënë gati katër vjet që nuk komunikojnë me mua. Për një prind, kjo gjë qenka vërtet shumë e vështirë. Tani, akoma më shumë po e kuptoj se çfarë ka hequr im atë në kohën kur unë nuk komunikoja me të. Edhe pse nuk e shpreh, gjithnjë e më shumë po e kuptoj se këto që po kaloj janë haqet e tim eti, që nuk komunikova dhe nuk i fola për një kohë aq të gjatë.
Dhembjen e tij po e përjetoj edhe unë sot dhe çdo ditë i lutem Zotit t’u japë mendje vajzave te mia, të ndërgjegjësohen dhe një ditë të vijnë e të trokasin në derën e shtëpisë sime. Ndërsa ish-gruan e urrej me gjithë fuqinë e zemrës, sepse ajo më ndau nga njerëzit e mi më të shtrenjtë, ajo është njeriu që sot më ka lënë në vetminë time, pa dashurinë e vajzave të mia, të cilat më mungojnë çdo ditë e më shumë.

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments