Mashtrohen përsëri shqiptarët, kompania që ofroi 2,000 vende pune në Gjermani nuk ekziston fare
Kosovë, Slider

Mashtrohen përsëri shqiptarët, kompania që ofroi 2,000 vende pune në Gjermani nuk ekziston fare

Gjatë ditës së djeshme, gjithandej portaleve dhe rrjeteve sociale mund të shiheshin fotografi dhe video që shfaqnin mijëra qytetarë, të cilët të dëshpëruar me gjendjen në Kosovë, i’a kishin mësyer Shtëpisë së Kulturës në Prizren me shpresën se do t’u buzëqeshte fati dhe do të gjenin një vend pune në Gjermani.

Aty, një “kompani gjermane” po prezantonte 2,000 vende pune, kryesisht në fushën e aviacionit në aeroportin e Frankfurtit, dhe se sipas tyre ata kishin ardhur në Kosovë që për këto pozita të rekrutonin staf nga këtu.

E tëra kjo po tingëllonte si një tregim tepër i mirë, madje aq i mirë sa që vështirë të besohet. Prandaj EkonomiaSot i’u përvesh punës që të gjente të vërtetën prapa kësaj ndodhie.

Nga hulumtimi i deritanishëm i EkonomiaSot, del se premtimi për 2,000 vende pune është mashtrim, ndërsa “kompania gjermane” që ka prezantuar sot në Shtëpinë e Kulturës në Prizren është kompani fiktive, e cila nuk ekziston fare, përcjell albinfo.ch.

Me sa duket, qëllimi këtu është që qytetarëve fatkeq dhe të dëshpëruar për një vend pune në Gjermani, t’u merren shuma të konsiderueshme të parave, krejt kjo në emër të aplikimit për punë, dhe pastaj kompania që ka organizuar këtë ngjarje të zhduket nga faqja e dheut. Duke i lënë kështu “aplikantët” pa një adresë se ku mund të ankohen.

Një skemë të ngjashme e kemi mjaft të freskët. Për mashtrim të rreth 900 personave për viza pune në Gjermani aktualisht po akuzohet deputeti Milaim Zeka, dhe partneri i tij afarist Ilir Krasniqi. Sipas një raportimi të Insajderit, Zeka dhe Krasniqi akuzohen se me premtimin për sigurimin e një vendi të punës në Gjermani, aplikantët ishin detyruar të paguanin shuma që varionin nga 50 euro e deri në 3,500 euro, mirëpo viza e punës nuk kishte ardhur kurrë.

Cila është kompania që premton 2,000 vende pune në Gjermani, dhe kush qëndron prapa saj?

Ishte portali online Telegrafi ai që së pari kishte njoftuar për këtë ngjarje. Në lajmin e datës 23 tetor 2018 përmenden dy kompani në lidhje me ofertën për “2,000 vende pune”. Njëra është kompania gjermane “OBM Aviation”, e cila thuhet se ofron vendet e punës, si dhe kompania “BSB Aviation”, e cila me sa duket është partneri vendor.

Në bazë të hulumtimit të EkonomiaSot, del se kompania gjermane “OBM Aviation” nuk ekziston fare, kurse kompania vendore “BSB Aviation” del të jetë regjistruar tek më 23 tetor 2018, pra të njëjtën ditë që është plasuar lajmi nga portali Telegrafi.

Kompania “BSB Aviation” është regjistruar në formën Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK), me kapital prej vetëm 1,000 euro, ndërsa pronar figuron të jetë një person i quajtur Bujar Berisha.

Ky lloj formati (SHPK) nënkupton se në rast të ndonjë padie eventuale nga palët e dëmtuara, maksimumi që të gjitha palët së bashku mund të marrin si dëmshpërblim është shuma totale prej 1,000 euro.

“OBM Aviation” – kompania fiktive

EkonomiaSot po ashtu është interesuar që të mësojë se kush qëndron prapa kompanisë fiktive “OBM Aviation” që pretendon të jetë kompani gjermane.

Një kërkim në Google për këtë kompani tregon se në fakt ekziston një webfaqe me këtë emër obm-aviation.com, e cila në shikim të parë duket profesionale. Mirëpo pas një shfletimi më të thellë, kuptohet se në fakt faqja është e pa-kompletuar, e madje nuk ka as adresë të biznesit, dhe as nuk tregon se kush është pronari, gjë që normalisht këkrohet me ligj për të gjitha bizneset gjermane (Impressum).

Tek pjesa e kontaktit, si adresë e kompanisë figuron një qytet në Buffalo, SHBA. Ndërsa më poshtë shihet teksti latinisht, i cili zakonisht mund të gjendet në webfaqe të pa-kompletuara. Me fjalë tjera, pretendimi se kjo është kompani gjermane nuk qëndron.

Më tutje, mund të shihet se edhe vendet e punës që janë te reklamuara në faqen kryesore janë publikuar që 3 muaj më parë dhe nuk janë përditësuar kurrë më. Madje, në total figurojnë vetëm 4 vende të tilla, gjë që nuk është as afër numrit prej 2,000 vendeve të punës që pretendon t’i ketë kjo kompani.

Kompania e vërtetë që qëndron prapa “OBM Aviation”

Një kërkim mbi webfaqen e “OBM Aviation” tregon se ajo është krijuar vetëm 3 muaj më parë, pra me 18 korrik 2018, si dhe prapa saj qëndron një kompani tjetër, e cila kësaj radhe nuk është fiktive, e ajo është “Gate Training GmbH”.

Meqenëse kjo kompani ekziston me të vërtetë në Gjermani, sic e thamë më lartë, e ka për obligim që të tregojë edhe adresën dhe pronarin e kompanisë. Nga Impressum-i në faqen gate-training.de shihet se adresa e biznesit është Suderstrasse 73, Hamburg. Kurse si pronarë figurojnë Timo Fischer dhe Christian Scholdei-Kovac.

Kjo del të jetë një kompani që merret me ofrimin e trajnimeve dhe certifikimeve të ndryshme në fushën e aviacionit. E që me gjasë plani i tyre ka qenë që kosovarëve t’u premtojnë “vende të sigurta pune në Gjermani”, me kusht që këta fillimisht të paguajnë për kurse dhe trajnime të shtrentja që kjo kompani ofron. Dhe pasi t’i kenë mbledhur paratë nga punëkërkuesit e dëshpëruar, t’ia mbathin nga Kosova, njësoj sic kanë bërë kompani tjera më parë, si rasti me Milaim Zekën dhe Ilir Krasniqin.

November 1, 2018

Struga Ekspres