Çdo person mesatarisht ka 13 sekrete, disa nuk i tregoni kurrë
Shëndetësi, Shqipëri

Çdo person mesatarisht ka 13 sekrete, disa nuk i tregoni kurrë

A e keni ndonjë sekret? Sipas një studimi të majit të vitit 2017, sigurisht i keni rreth 13 sekrete që i mbani në kokën tuaj – pesë prej të cilave nuk do t’ia tregoni kurrë askujt.
Studiuesit thonë se nuk është numri i sekreteve ai që është i rëndësishëm. Përkundrazi, është barra e atyre sekreteve – ato peshojnë mbi ju, tekstualisht.

Sekretet dhembin

Profesori i Columbia Business School, Michael Slepian, dhe ekipi i tij i pyetën tri grupe prej 200 vullnetarësh nëse mbanin sekrete lidhur me 38 kategori të përbashkëta – gjërat si gënjeshtrat, përdorimi i drogës, vjedhja dhe tradhtia seksuale, transmeton Koha.net. Studiuesit zbuluan se mesatarisht çdo person i mbante 13 sekrete. Pesë nga ato ata kurrë nuk ia kishin thënë askujt.

Por ka edhe më shumë. Sekretet tuaja mund të ndihen si një barrë mendore, por studimi sugjeroi se ato janë më shumë se kaq. Slepian tha për The Atlantic se kur një subjekt mendonte për sekretet e veta, “ata në fakt vepruan sikur të ishin të ngarkuar nga një peshë fizike”. Ky efekt i fuqishëm ndodhi edhe kur subjekti nuk e fshehte ndonjë sekret të veçantë në atë moment.

Përveç ndjenjës së peshës nga mendimet e fshehta, Slepian zbuloi në një studim të mëparshëm se “njerëzit të cilët i kujtonin, ishin të preokupuar, ose e fshehnin ndonjë sekret të rëndësishëm vlerësonin se kodrat ishin më të rrëpira, i perceptonin distancat më të largëta, indikonin se detyrat fizike do të kërkonin më shumë përpjekje dhe kishin më pak të ngjarë t’i ndihmonin të tjerët me detyra fizike”. E çuditshme, apo jo? Edhe nëse nuk jeni duke e fshehur në mënyrë aktive ndonjë sekret, të menduarit për këtë e bën gjithçka më të vështirë. Prandaj, ja sfida: thjesht mos mendoni për këtë.

Spiralet mendore

Punimi më i fundit i Slepian thekson se mendjet tona përpiqen vazhdimisht t’i zgjidhin çështjet ose t’i arrijnë synimet që duam t’i arrijmë. Por ja problemi: sekreti është një synim që kurrë nuk mund të realizohet, përcjell Koha.net. The Atlantic i përshkruan sekretet si “Spirale në mendimet tona – brejtës të vegjël që nuk qëndrojnë dot pa lëvizur kur i godisni”. Slepian dhe ekipi i tij shpresojnë ta largojnë peshën e sekreteve tona me hulumtimet e tyre. Në fund të fundit, 13 sekrete janë goxha shumë.

June 7, 2018
Struga Ekspres