Anisa e vogël nga Dibra nuk ka rroba për të shkuar në shkollë, familja kërkon ndihmë (VIDEO)
Shqipëri, Slider

Anisa e vogël nga Dibra nuk ka rroba për të shkuar në shkollë, familja kërkon ndihmë (VIDEO)

Çdo vit numri i fëmijëve që braktisin shkollën për shkaqe ekonomike është i madh në Durrës, e kryesisht në zonën informale të ish-Kënetës. Familjet e varfra, të cilave iu është ndërprerë edhe ndihma ekonomike janë të shumta. Një prej tyre është familja Seferi me origjinë nga Dibra.

Në familjen Seferi prej pesë anëtarësh punon vetëm Liljana në rrobaqepësi e cila merr një pagë prej 20 mijë lekësh të reja në muaj. Anisa në klasën e shtatë për këtë vit nuk ka mundësi të blejë as rroba të reja dhe as bazën materiale, ndërsa kompletin e teksteve shkollorë e ka tërhequr pa kryer pagesën. “Vëllai i saj Petriti duhej të ishte në klasën e 9 por e braktisi kur përfundoi të 6-ën”, -tha gjyshja e fëmijëve Selvia.
Pashke Marku, drejtoreshë e shkollës së re në Kënetë tha se braktisja e shkollës nga fëmijët e zonës për shkaqe ekonomike është evidente nga viti në vit. Ajo tha se 17 fëmijë e braktisën arsimin e detyrueshëm në vitin e shkuar, ndërsa në 2016, 22.

Për herë të parë këtë vit fëmijët e arsimit të detyrueshëm i marrin tekstet falas, ndërsa nga klasa e pestë e deri në gjimnaz prindërit janë duke bërë sakrifica të mëdha për të blerë tekstet shkollorë. Për drejtorinë Arsimore përveç nxënësve të ciklit të ulët, tekstet falas i përfitojnë edhe disa kategori të tjera. Por familjet e varfra si e Anisës nuk bëjnë pjesë tek kjo kategori përfituesish sepse nuk janë përfitues nga skema e ndihmës ekonomike. Fëmijët këtyre familjeve e braktisin shkollën e shembull i braktisjes është kjo shkollë e cila numëroi 17 fëmijë vetëm në vitin 2017-2018.

September 14, 2018
Struga Ekspres