Ali Ahmeti: Komisioni për pajtim në Parlament nuk është çështje pazari
Maqedoni, Slider

Ali Ahmeti: Komisioni për pajtim në Parlament nuk është çështje pazari

“Komisioni për pajtim në Parlament nuk është çështje pazari. Ne jetojmë në këto hapësira ballkanike ku thashethemet zënë vend më shpejtë sesa lajmi i vërtet. Nuk dua të hyjë në detaje, por ata që votuan për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, votuan me bindje, pa pazar. Kështu është shprehur lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, duke theksuar më tej se iniciativa për formimin e Komisionit për pajtim është e kryeministrit Zoran Zaev.

“Ka vende që kanë pasur etapa përplasjesh dhe pajtimesh dhe janë marrë praktike të ndryshme evropiane, por edhe më gjerë. Dhe, gjithmonë janë marrë praktika të mira pajtimi, dhe për këtë arsye quhet ‘e vërteta dhe pajtimi’ dhe jo të falet ai që ka kryer krim. Raste të tilla ka pasur në Afrikën e Jugut, në Çeki, por pse mos ta përmendim edhe rastin Votergejt në SHBA. Tani, të gjitha këto praktika të vihen në funksion dhe pyesim se çfarë mund të bëjmë ne. Kjo iniciativë u prezantua nga kryeministri në Parlamentin e Maqedonisë, u përkrah nga shumica parlamentare dhe, mendoj që është një zgjidhje që të ulen palët të bisedojnë dhe të ndëshkohen fajtorët”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se duhet pritur rezultatet e këtyre komisioneve që janë ngritur.

“Këto janë zhvillime. Sot është njëri, nesër vjen tjetri. Aksioni nxit reaksion, ose nëse sot burgos, nesër burgos tjetri dhe hapësirat për të paditur do të gjenden gjithmonë. Më e rëndësishme është që ne sot të përmbyllim të gjithë procesin e anëtarësimit të vendit në NATO dhe në BE”, tha Ahmeti.

November 7, 2018

Struga Ekspres