Wednesday, April 24, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeQyteti61 vjet pa mësuesin Myfit Sinojmeri

61 vjet pa mësuesin Myfit Sinojmeri

MBETI SIMBOL I ARSIMIT QË  KURRË NUK DO TË VENITET

Sot, më 14 shkurt, mbushen plot 61 vjet nga vrasja tragjike e mësuesit Myfit Sinojmeri. Në përkujtim të këtij mësuesi shembullor dhe viktimë e një sistemi tepër antishqiptar- si shumë e shumë të tjerë, po e përkujtojmë më pietet.

Vajto moj botë, vajto me ne, na vranë mësuesin, e shtrinë përdhe, o Yllë, Lirie, ah ti zambak, na mbushe shpirtin helm e gjak. Na vranë mësuesin, vranë diturinë, edhe urrejtja ska kufi. Ju shkollat tona, ju banka t’arta, pse asnjëher s’patët liri…? Dhe çdo fëmi, një lule hedh,  mbi trupin tënd mbuluar me gjak, dhe sytë e tu neve na thonë,  me dituri të merrni hak.

Janë këto vargjet e një teksti të shkruar nga Mr.Selami Kolonja, kushtuar figurës, personalitetit, jetës dhe veprës së Myfit Sinojmerit.

Ky mësues i zellshëm, ky fanar i arsimit shqip, e pagoi me jëtën e vet rinore përkushtimin e tij për të arsimuar shqiptarët e Maqedonisë, detyrë që kurrë nuk e konsideroi si profesion, por gjithnjë si mision madhor. Sadoqë nga viti i krimit  u bënë  58 vjet,  struganët dhe ish nxënësit e tij edhe sot e kujtojnë me respekt dhe nuk do ta harrojnë kurrë. Kujtimi dhe respekti nuk do të venitet ndaj figurës së pishtarit të arsimit, mësuesit martir  gjirokastritit, Myfit Agush Synoimeri

Myfit Agush Sinojmeri lindi më 20 prill 1923 Gjirokastër, në një familje me tradita të forta patriotike dhe arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Gjirokastër ndërsa të mesmen në Liceun e mirenjohur të Korçës.

Apelit të Ministrisë Shqiptare të Arsimit “200 mësues për 200 shkolla shqipe” ose siç njihet si “200 Pëllumbat e Parnasit Shqipëtar”, Myfit Sinojmeri pa hezitim iu përgjigj dhe e filloi misionin e tij të shenjtë mësues në shkollën shqipe në Maqedoni. Myfit Sinojmeri për tju përgjigjur këtij apelit për arsimin shqip, braktisi studimet dhe iu përkushtua arsimit të shqipëtarëve në këto troje. Fillimisht ai punoi dhe ushtroi detyrën e mësuesit në rrethin e Kërçovës ku edhe për një kohë   u burgos për qëndrimet e tija antifashiste dhe idealet arsimdashëse të shqipëtarëve.  Pas daljes nga burgu, një kohë iu bashkangjit Brigadës së Katërt – gjegjesisht Brigadës së VII, (Shtatë Shqiptare)- ku qëndroi deri në përfundim të luftës.

Pas luftës, ai sërish këthehet në Kërçovë, fillimisht si punëtor administrativ dhe më pas i këthehet profesionit mësues – profesion që aq shumë  e deshi dhe me përkushtim e ushtroi deri në vdekjen e tij të parakohshme. Pasi punoi një vit në Kërçovë, Myfit Sinojmeri tranferohet në Tetovë ku punoi një vjet.

Në vitin shkollor 1946/47 mësuesi Myfit Sinojmeri erdhi në Strugë dhe ushtroi detyren e  mësuesit  edhe në  fshatin Kalishtë të Strugës. Dy vjet më vonë, më 1948 kur qeveritë e atëhershme të ish Jugoslavisë dhe Shqipërisë ndërprenë marëdhëniet diplomatike, Myfiti, për shkaqe të njohura vetëm për te, nuk pranoi të këthehet në Shqipëri, mbase edhe për ate, se tashmë në  Strugë kishte krijuar edhe familje. Nga ana tjetër nuk pranoi nënshtetësinë Jugosllave që më vonë do ti hakmerren strukturat e mirënjohura të UDB-së kobëzezë.

Drejtuesit e at’hershëm të regjimit e  pushuan nga puna- e larguan nga procesi arsimor. Me zemër të thyer dhe me hidhërim të madh, por megjithate krenar, braktis Strugën dhe niset së bashku  me familjen drejt  Zhitoshe, që ishte stacioni i tij i fundit

Për të parandaluar shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi dhe  për ti pajisur me dije e njohuri, Myfit Sinojmeri mori rrugën drejt Zhitoshës për të ushtruar profesionin që gjithnjë e konsideroi MISION.

Ardhja e Myfit Sinojmerit në Zhitoshe, ishte sinjal i frenimit dhe  parandalimit të shpërnguljeve të shqiptarëve  në Turqi, dhe fillimi i një epoke  të re të arsimimit të shqiptarëve.

Mirëpo, vendimi i pashkruar famoz i UDB-së, për likuidimin e tij u ekzekutua më 14 Shkurt të vitit 1954 !

Dora e zezë e UDB-së famëkeqe, veproi ndaj Myfit Sinojmerit përmes ekzekutorit të këtij akti kobzi, për fat të keq, si jo rrallë herë në raste të këtilla, e kjo  ishte dora e Adem Ballabanit, nga Zhitosha,  si dorë e zgjatur e UDB-së, që shkrepi pas shpine mbi trupin e njomë të mësuesit, fanarit të arsimit shqip në Zhitoshe. Si zakonisht në raste të tilla, Organet e atëhershme të hetuesisë, prokurorisë dhe gjyqësisë “konstatuan (?)” se Myfit Sinojmeri u vra në “rrethana të pasqaruara, pandriçuara dhe të panjohura për Organet”. Me vrasjen e Myfit Sinojmerit, është synuar të vritet arsimi shqip, por ai edhe më tepër lulëzoi, në shenjë nderimi e respekti ndaj mësuesit të dashur Myfit Sinojmeri.

Myfit Sinojmeri u vra në moshën 31 vjeçare duke lënë të mallëngjyer bashkëshorten Nesrinen (tashmë të ndjerë), me dy vajza të vogla, Dhuratën dhe Vildanen, familjen e gjërë në Gjirokastër, Tiranë e gjetiu, që nuk i kishte me të cilët  ishin parë që nga viti 1942,  kur erdhi për të ushtruar misionin e tij të shenjtë e human të mësuesit- mision  që e pagoi me jetën e vet rinore.

Ai u vra për qëllimet e tija fisnike që deshi të arsimojë shqiptar dhe për ti shlyer gjurmët e pashlyeshme të analfabetizmit shqip në këto troje.

Vrasja e Myfit Sinojmerit më 14 Shkurt mbase nuk ishte e rastit! Është datë shumë sinjifikative në kalendarin historik shqiptar. Shumë ngjarje të jetës kulturore e arsimore shqiptare lidhen pikërisht me këtë datë:

– 14 shkurt 1880, lindi kryetari i parë i mësuesve shqiptar Tanas Konomi;

– 14 shkurt 1910, u mbajt mitingu për alfabetin shqip në Korçë;

– 14 shkurt 1911, doli numri i parë i gazetës “Koha” nga Vëllezërit Grameno

– 14 shkurt 1946, në fshatin Konçul të Bujanocit, u vra  nga dora e zgjatur e UDB-së, nga një shqipfolës mësuesi Mustaf  Kelmendi nga Peja i lindur ne vitin 1919.

Myfit Sinojmeri ishte poet dhe piktor i respektuar . Poezitë e shumta të tij janë botuar nëpër gazeta dhe revista të asaj kohe në gjuhën shqipe në raste të shumta me pseudonim, ku mësuesi dhe poeti Myfit Sonojmeri me shpirt dhe një nostalgji  të rrallë i këndoi LIRISË, të cilën e çmonte si gjërat më të shenjta dhe më të shtrenjta në jetë.  Vullneti, zelli, korektesia, fisnikeria dhe ideali për arsimin shqip, atij i ndihmuan që të mbjellë këtë ndjenjë edhe tek nxënësit e tij duke përsëritur gjithkund e gjithkah se “VETËM KOMBI I ARSIMUAR ËSHTË I AFTË TË ÇLIROJË VEHTEN”.

Për punën  e tij të palodhshme, fisnike dhe për gjithë ate që bëri për arsimin shqip, në vitin  1994,  presidenti i Republikës së Shqipërisë Dr. Sali Berisha me Dekretin Nr. 811 të datës 11 Prill të vitit 1994  e nderoi Myfit Sinojmerin me Urdhrin  “NAIM FRASHËRI I KLASIT TË PARË”. Në arsyetimin e këtij Dekreti  nder tjera thuhet: ”SHËRBEU NË SHKOLLAT SHQIPE NË SHQIPËRINË VERIORE E LINDORE JASHTË KUFIJVE POLITIK TË VITIT 1913 TË SHTETIT SHQIPTAR”.

myfit1

myfit2

Ironia e fatit  deshi që edhe pse ai ndërroi jetë më 14 shkurt të vitit 1954,  varrimi i tij u bë më 19 shkurt, pra pesë ditë pas vrasjes duke e sjellur trupin e tij të pajetë për në shtëpinë e fundit në varrezat e qytetit në Strugë, ku edhe sot prehen eshtrat e tij.

Për të qënë ironia edhe më e madhe, motra dhe vëllezërit i të ndjerit Myfit Sinojmeri: Naxhija,  Masar dhe Imer Sinojmeri  për herë të parë iu falën pranë varrit të vëllait pas plot 38 viteve.

Ngjarjen tragjike të vrasjes së mësuesit të nderuar Myfit Sinojmeri e shënoi edhe shtypi i kohës siç është  p.sh. “Flaka e Vellazerimit” për muajin Mars/Prill te  vitit 1954, ku  mes tjerash në faqen nr. 5 shkruante: “Me vdekjen e pakohshme të të këtij mësuesi të vlefshëm arsimi i ynë humbi një ndër aktivistat ma t’aftë, ma të kulturuem dhe ma të dashtun…Dashtunia e madhe që ndjente  populli kundrejt këtij arsimtari populluer u shpreh në pjesëmarrjen e madhe, lotët e derdhura në varrimin e tij”.

Po në këtë numër të “Flakës” krahas artikullit në fjalë është botuar edhe një elegji kushtuar Myfit Sinojmerit nga kolegu i tij Nexhat Pustina me titull “Nji shokut t’vdekun”, ku ndër tjera poeti Nexhat Pustina shprehet:

Një ditë para,

Fmijt e tu shtrengonte krahnori

Ku dinje ti-short-zi

Ç’mendonte mizori?

Ia kemi borxh historik dhe  moral figurave të arsimit, prandaj vlerësimi i figurave që u sakrifikuan dhe  kontribuan në arsimimin e shqiptarëve, ndaj duhet të hapim rrugën për shënimin dhe ndritjen e figurave të merituara të arsimit dhe rehabilitimin e tyre nga ideologjia dhe pushteti represiv antishqiptar. Figurat e tilla emblematike të arsimit janë simbol i rrugës së mundimshme të afirmimit të gjuhës shqipe në RM në disa etapa, që ishin plot dhimbje, vuajtje, sakrifica por edhe fitore e madhe.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së RM-së, Myfit Sinojmerit, më 2006, iu nda Mirënjohja e Ministrisë së arsimit me motivacionin:  “Për sakrificën, kontributin e veçantë dhe afirmimin e arsimit në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedinisë”.

Kjo mirënjohje post mortum për  Myfit Synojmerin, është Mirënjohja më e lartë pas “Urdhërit Naim Frashëri i Klasit të Parë” akorduar nga ish presidenti i Shqipërisë Sali Berisha, që poashtu i akordohet pas vdekjes së parakohshme këtij mësuesi  gjirokastrit, viktimë e regjimit antishqiptar në bashkëpunim me UDB-në dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Nga gjithe kjo që u tha më lartë kemi për nderë ta përkujtojmë këtë mësues të nderuar, këtë figurë madhore të arsimit shqip në Maqedoni, ne të gjithë, bashkëqytetarët e shumtë të tij, bashkëmendimtarët, arsimdashasit etj., duke e kujtuar me rastin e 56 vjetorit të vrasjes-vdekjes tragjike të mësuesit Myfit Sinojmeri.

Sadoqë nga viti i krimit  u bënë  61 vjet,  struganët dhe ish nxënësit e tij edhe sot e kujtojnë me respekt dhe nuk do ta harrojnë kurrë. Kujtimi dhe respekti nuk do të venitet ndaj figurës së pishtarit të arsimit, mësuesit martir  gjirokastritit, Myfit Agush Synoimeri

 Lindim Etemi/Struga Ekspres

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
Previous article
Next article
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments